
Universiteti i Bozokut në Yozgat të Ankaras, sot, e ka shpallur zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, me dhënien e titullit “Doctor Honoris Causa”.
Rektorja e këtij Universiteti, Prof. Dr. Inci Varinli, duke arsyetuar ndarjen e çmimit për ministrin Kuçi, theksoi kontributin e tij në fushën akademike dhe universitare, në kontributin për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe më gjerë, si dhe në zhvillimin ekonomik.
Po ashtu, rektorja Varinli përmendi edhe faktin se Dr. Kuçi ka marrë dije në Turqi gjatë studimeve të tija post-diplomike dhe kjo gjë e bënë të ndihet me krenare, për ndarjen e këtij çmimi.
Ndërsa, ministri Hajredin Kuçi pasi pranojë çmimin, tha së ndihem jashtëzakonisht i nderuar që është laureat i këtij titulli të lartë akademik, duke e vlerësuar si nder për të, familjen e tij, Universitetin e Prishtinës, Kosovën dhe gjithë shqiptarët.
“Laurimi që po me bëhet sot nga Universiteti Juaj, me bënë edhe më fisnik dhe të përgjegjshëm në jetë dhe me shtyn që edhe më shumë të punojë për dije e nder dhe që këto t’i bart me kujdes tek të tjerët, por edhe t’i shfrytëzojë për të mirën e vendit dhe popullit tim, të miqësisë tone, shqiptaro-turke, por edhe të mirën e njerëzimit në tërësi.
Ne në universitete kemi për obligim të prodhojmë vlera dhe ide të cilat do të bëhen parime të shoqërisë dhe shtetet e popujt tanë i jetësojnë ato për ta lehtësuar jetën e tyre. Ashtu sikur e dini, unë jam Zëvendëskryeministër dhe ministër i Drejtësisë në Kosovë, në vendin që Ju, vendi dhe populli Juaj e ka ndihmuar shumë, për çka jemi mirënjohës”, tha ministri Kuçi dhe shtojë së Turqia dhe bota demokratike në krye me SHBA-në dhe BE-në, e kanë mbështetur Kosovën në kauzën që nga një komb i mbijetuar, të kalojë në një komb të lire, krah botës së lire, andaj sipas tij, Kosova dhe Turqia sot kanë synime të përbashkëta për bashkëpunim të plotë në çdo fushë, ku për këtë është shprehur vullneti i dy Qeverive, por kanë edhe synime të jenë pjesë e përbashkët në NATO dhe BE.
Në ceremoninë e ndarjes së Çmimit “Doctor Honoris Causa” për ministri Hajredin Kuçi, mori pjesë edhe Kryetari i Bashkise së Yozgatit, Necati Sentur, si dhe një delegacion i Universitetit të Prishtinës, i kryesuar nga rektori, Prof. Dr. Mujë Rugova.