Biografia e Ministres së Drejtësisë znj. Albulena Haxhiu
Albulena Haxhiu ka lindur në Prishtinë, më 11 maj 1987, ku edhe jeton me familjen e saj. Është e martuar dhe nënë e tre fëmijëve, Malit, Tomorrit dhe Andrrës.
Ajo përfundoi studimet në Fakultetin Juridik pranë Universitetit të Prishtinës për të vazhduar me studime pasuniversitare në Universitetin e Evropës Juglindore, në të drejtën penale.
Aktivitetin e saj politik e ka filluar në shtator të vitit 2010, duke u anëtarësuar në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, që asokohe ishte organizatë politike jo parlamentare.
Në dhjetorin e vitit 2010, Lëvizja VETËVENDOSJE!, garoi për herë të parë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, me ç ‘rast në ato zgjedhje si 23 vjeçare Albulena Haxhiu u zgjodh deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës, si deputetja më e re e Kuvendit të Republikës së Kosovës në atë legjislaturë. Albulena Haxhiu arriti të rizgjedhej deputete edhe e tri legjislaturave tjera dhe çdoherë ishte ndër gratë deputete më të votuara.
Në legjislaturën e pestë dhe të gjashtë, ajo ka udhëhequr Komisionin për Legjislacion, një nga komisionet më të rëndësishme të Kuvendit dhe nënkomisionin për mandate, imunitete dhe rregullore të Kuvendit. Angazhimi i saj çdoherë ka pasur fokus temat që lidhen me shtetin e së drejtës, barazinë shoqërore, sociale dhe gjinore.
Në zgjedhjet e vitit 2019, Lëvizja VETËVENDOSJE! fiton zgjedhjet parlamentare, me ç’rast në Qeverinë Kurti I, Albulena Haxhiu emërohet Ministre e Drejtësisë në Kabinetin Qeveritar të Kryeministrit Albin Kurti.
Pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, znj. Haxhiu u emërua sërish Ministre e Drejtësisë së Republikës së Kosovës në Qeverinë Kurti II, një pozicion që vazhdon ta mbajë edhe sot. Bazuar në legjislacionin në fuqi dhe me vendim të kryeministrit Albin Kurti, Albulena Haxhiu është edhe Koordinatore Kombëtare për parandalim dhe adresim të rasteve të dhunës në familje dhe me bazë gjinore.
Albulena Haxhiu është anëtare e Kryesisë së Lëvizjes VETËVNDOSJE! dhe në vitin 2022, me themelimin e dy organizatave reja për gratë dhe rininë, ajo u zgjodh Kryetare e organizatës Gratë për VETËVENDOSJE!.
Kontakt:
Ministrja Albulena Haxhiu:
Email: albulena.haxhiu@rks-gov.net;
Tel: 383 38 200 67 015
Adresa: Ministria e Drejtësisë
Ndërtesa e Re e Qeverisë (ish ndërtesa e Rilindjes)