Ky projektligj adreson gjetjet e Gjykatës Kushtetuese pas publikimit të Aktgjykimit në korrik të këtij viti, duke forcuar kornizën ligjore për konfiskimin e pasurive të pajustifikueshme në përputhje me standardet kushtetuese dhe ato ndërkombëtare.
Një nga çështjet kyçe që u adresuan ishte retroaktiviteti i ligjit, por gjithashtu, edhe periudhat kohore për verifikimin e pasurisë së zyrtarëve publikë.
Ndryshime të rëndësishme janë bërë poashtu në përbërjen e Komisionit Mbikëqyrës, për të garantuar ndarjen e pushteteve dhe mbikëqyrje të pavarur, bazuar në gjetjet e Gjykatës Kushtetuese.
Miratimi i kësaj nisme përfaqëson jo vetëm një përparim në luftën kundër korrupsionit, por edhe një angazhim dhe përkushtim të qartë të Qeverisë për të ndërtuar një sistem të drejtësisë që bazohet në llogaridhënie dhe transparencë.