Ministrja Haxhiu mbajti një konferencë për media, nga ku deklaroi se Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbardhjen e së vërtetës dhe ofrimin e drejtësisë për viktimat e krimeve të luftës të kryera në Kosovë.
Themelimi i Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë në nëntor 2023, i cili tashmë ka publikuar raportin e parë njëvjeçar, përfaqëson një arritje madhore.
Tashmë janë grumbulluar në mbi 189.5 metra materiale arkivore dhe 14.64 terabajt materiale digjitale të mbledhura, ky Institut mbetet garant i kujtesës kolektive dhe mbrojtës i së vërtetës historike.
Një tjetër hap i rëndësishëm është miratimi dhe zbatimi i Strategjisë për Drejtësinë Tranzicionale, që adreson krimet e luftës dhe shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut, duke ofruar një udhërrëfyes për ndihmë viktimave dhe ndërtimin e një të ardhmeje të drejtë.
Për më tepër, ndryshimet procedurale që mundësojnë gjykimin në mungesë dhe forcimi i kapaciteteve të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, janë dëshmi e përkushtimit të Qeverisë për të siguruar drejtësi.
Aktualisht, janë ngritur 67 aktakuza ndaj 174 personave, ndërsa janë shtuar prokurorë dhe hetues për të përforcuar punën në këtë drejtim.