Skip to content
Ministrja Haxhiu diskutoi lidhur me Programin  për trajtimin e kryerësve të dhunës në familje si pjesë e dënimit

Ministrja Haxhiu diskutoi lidhur me Programin për trajtimin e kryerësve të dhunës në familje si pjesë e dënimit

Prishtinë, 07/11/2024
Sot, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, mori pjesë në tryezën diskutuese “Thyerja e ciklit të dhunës: Integrimi i programeve për trajtimin e kryerësve të dhunës në familje si pjesë e dënimit”, ku morën pjesë përfaqësues të Këshillit të Evropës në Kosovë, gjyqtarë, prokurorë, institucione vendore, organizata të shoqërisë civile dhe partnerë ndërkombëtarë.
Në fjalën e saj, Ministrja Haxhiu theksoi rëndësinë e trajtimit psiko-social të kryerësve të dhunës në familje si një faktor kyç për parandalimin e dhunës dhe mbrojtjen e viktimave. Ligji për Parandalim dhe Mbrojtje ndaj Dhunës në Familje, si dhe Strategjia Kombëtare për Parandalim dhe Mbrojtje ndaj Dhunës në Familje 2022-2026, përcaktojnë detyrimet e institucioneve përkatëse për të krijuar programe të trajtimit që synojnë ndryshimin e sjelljeve të dhunshme. Ministrja Haxhiu veçoi Programin Kombëtar për Kryerësit e Dhunës ndaj Grave, i cili është në përputhje të plotë me Konventën e Stambollit dhe ofron një qasje transformuese për ndryshimin e sjelljeve të dhunshme të kryerësve përmes një rrugëtimi drejt sjelljeve të respektueshme dhe jo të dhunshme.
Ky program, i cili u zhvillua në bashkëpunim me Këshillin e Evropës dhe përfshiu trajnimet e profesionistëve nga shërbimet korrektuese, sprovuese dhe institucionet tjera përkatëse, tashmë është pilotuar me sukses në Qendrën Korrektuese në Dubravë dhe do të vazhdojë të shtrihet edhe më gjerë. Ministrja bëri thirrje për përfshirjen e sistemit të drejtësisë në integrimin e programeve për trajtimin e kryerësve, duke theksuar rëndësinë e mbajtjes së kryerësve përgjegjës për veprimet e tyre dhe zbatimin efektiv të dënimeve që përfshijnë trajtimin.
Në fund të fjalës së saj, ministrja Haxhiu falënderoi partnerët për mbështetjen në këtë rrugëtim dhe inkurajoi institucionet tjera kompetente që të përkushtohen maksimalisht në trajtimin e rasteve të tilla.
Skip to content