Ministrja e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu, ka pritur në një takim të rëndësishëm drejtorin e Akademisë të së Drejtës Evropiane (ERA), z. Jean Philippe Regarde, dhe drejtorin e Akademisë së Drejtësisë së Kosovës, z. Enver Fejzullahu.
Gjatë këtij takimi është diskutuar për bashkëpunimin ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë, ERA-s dhe Akademisë së Drejtësisë së Kosovës. Një nga temat kryesore të diskutimit ishte mundësia e anëtarësimit të Kosovës në ERA, një hap i rëndësishëm për fuqizimin e sistemit të drejtësisë në vendin tonë.
Tutje në takim, është diskutuar për mundësinë e përfitimit të gjyqtarëve dhe të prokurorëve të Kosovës nga programet trajnuese të ERA, por gjithashtu, edhe trajnimin e tyre për të drejtën dhe standardet evropiane.
Ministrja Haxhiu gjithashtu theksoi rëndësinë e vazhdimit dhe thellimit të këtij bashkëpunimi për përmirësimin e kapaciteteve profesionale dhe ngritjen e standardeve të drejtësisë në Kosovë.
“Bashkëpunimi me ERA-n është i një rëndësie të veçantë për ne, pasi trajnimet dhe programet e tyre kontribuojnë dukshëm në avancimin e njohurive dhe aftësive të profesionistëve tanë të drejtësisë. Ne do të punojmë ngushtë për të çuar përpara këtë partneritet dhe për të siguruar që sistemi ynë i drejtësisë të përmbushë standardet më të larta evropiane,” tha ministrja Haxhiu.
Takimi u përmbyll me vullnetin dhe gatishmërinë e të dyja palëve për të thelluar tutje bashkëpunimin dhe avancuar pozitën e Republikës së Kosovës në këtë drejtim.