Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli sot ka pritur në takimin e fundit, raportuesit e Komisionit të Venecias, z. Mamuka Longurashvili nga Sekretariati, z. Jørgen Steen Sørensen, anëtar- Danimarkë, znj. Hanna Suchocka – eksperte, Presidente Nderi dhe znj. Claudia Monti – anëtare- Luksemburg, ku është diskutuar në lidhje me ndryshimet në Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).
Ky takim, ku të pranishëm ishin edhe z. Lulzim Beqirin , Drejtor i Departamentit për Integrime Evropian, dhe Koordinimit të Politikave, znj. Venera Maksuti, zyrtare e Lartë dhe z. Rinor Hoxha, ekspert i jashtëm, është takimi i tretë i cili sjell përfundimin e takimeve mes MD-së dhe Komisionit të Venecia për reformën në sistemin gjyqësor dhe prokurorial.
Në fjalën e tij, zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli tha se angazhimi i Ministrisë së Drejtësisë në reformën e Këshillit Prokurorial synon të forcojë pavarësinë, llogaridhënien dhe efikasitetin e prokurorisë në Kosovë.
“ Në këtë proces, rekomandimet e Komisionit të Venecias kanë qenë dhe mbeten udhërrëfyese. Jemi të përkushtuar që këto ndryshime të reflektojnë standardet më të larta ndërkombëtare dhe të sigurojmë që reformat të kenë ndikim të prekshëm në përmirësimin e sistemit të drejtësisë”, tha Qorrolli.
Në takim u diskutua po ashtu mbi përputhshmërinë e ndryshimeve ligjore me standardet evropiane dhe rekomandimet e mëparshme të Komisionit të Venecias dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë ritheksuan gatishmërinë për të adresuar çdo sugjerim të mëtejshëm që do të kontribuojë në përmirësimin e projektligjit, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.