Venecia, 14 mars 2025- Gjatë Sesionit të 142-të Plenar të Komisionit të Venecias, janë miratuar tri opinione ligjore për projektligjet e Reformës në Drejtësi në Republikën e Kosovës. Ky miratim ka rëndësi të jashtëzakonshme për procesin e aprovimit të këtyre projektligjeve, të cilat do të reformojnë thelbësisht sektorin e drejtësisë duke e përafruar atë me standardet më të avansuara ndërkombëtare.
Reforma në drejtësi lidhur me pakon ligjore e cila buron nga Deklarata e Përbashkët e Zotimit, që ka nisur në mars të vitit 2023, ka për qëllim rritjen e transparencës, efikasitetit dhe llogaridhënies në sistemin e drejtësisë, dhe përfshin angazhimin e institucioneve kryesore si Ministria e Drejtësisë, Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshilli Prokurorial të Kosovës. Opinionet e Komisionit të Venecias, kanë shtjelluar projektligjet për Këshillin Gjyqësor të Kosovës; Projektligjit për Akademinë e Drejtësisë, projektligjin për Rekrutimin, Vlerësimin e Performancës, Kontrollin e Integritetit dhe Statusin e gjyqtarëve/prokurorëve si dhe Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve të cilat sigurojnë hapin e mëtejshëm për realizimin e këtyre reformave.
Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, theksoi rëndësinë e këtyre projektligjeve për forcimin e sistemit të drejtësisë dhe falënderoi Komisionin e Venecias për bashkëpunimin dhe mbështetjen. Ai theksoi angazhimin e Ministrisë së Drejtësisë për të vazhduar me avancimin e reformës dhe për të realizuar këto ndryshime në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin e Venecias dhe partnerët ndërkombëtarë, duke siguruar një sistem drejtësie të pavarur, transparent dhe efikas në Republikën e Kosovës.