Skip to content
Zëvendësministri Qorrolli: Reforma në drejtësi, prioritet për Integrimin Evropian

Zëvendësministri Qorrolli: Reforma në drejtësi, prioritet për Integrimin Evropian

Prishtinë, 13/03/2025
Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, mori pjesë në panelin me temën “Performanca e Ministrive në përmbushjen e Reformave Evropiane”, në kuadër të publikimit të Edicionit të Barometrit të Reformave Evropiane 2024.
Pjesë e këtij paneli ishin edhe Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, Ambasadorja e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Karin Boven, drejtoresha e GLPS, Arbresha Loxha-Stublla, si dhe përfaqësues të institucioneve të drejtësisë dhe organizatave të shoqërisë civile.
Në fjalën e tij, zëvendësministri Qorrolli foli mbi progresin e Ministrisë së Drejtësisë në zbatimin e reformave evropiane gjatë vitit 2024. Ai theksoi rëndësinë e reformës së thelluar dhe gjithëpërfshirëse të sistemit të drejtësisë, si dhe bashkëpunimin me Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës, bashkëpunim ky që ka rezultuar me nënshkrimin e Deklaratës së Përbashkët të Zotimit.
Tutje, zëvendësministri Qorrolli bëri të ditur se gjatë vitit 2024, Ministria e Drejtësisë ka realizuar 10 nga 16 masat e planifikuara në kuadër të Planit Kombëtar për Integrim Evropian. Ai theksoi se Strategjia për Sundimin e Ligjit mbetet një ndër shtyllat kryesore të politikave qeveritare, ndërsa Plani i Veprimit për periudhën 2025-2026 është rishikuar për të përfshirë objektiva më ambicioze, si digjitalizimi dhe forcimi i sistemit të drejtësisë civile dhe administrative.
Në kuadër të përpjekjeve për të rritur efikasitetin e sistemit të drejtësisë, zëvendësministri Qorrolli përmendi themelimin e Gjykatës së Specializuar Administrative, si dhe miratimin e akteve nënligjore për mbrojtjen e fëmijëve, duke garantuar mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe fuqizimin e mekanizmave institucionalë.
Në përmbyllje të fjalës së tij, zëvendësministri Qorrolli deklaroi se rrugëtimi i Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian mbetet një objektiv i padiskutueshëm, një proces që do të vazhdojë me hapa të qëndrueshëm dhe të palëkundur.

Foto Galeria

Skip to content