Zëvendësministri i Drejtësisë, z. Vigan Qorrolli, mori pjesë në Konferencën për Avancimin e të Drejtave të Fëmijëve në Kosovë, të organizuar nga UNICEF Kosova në partneritet me Bashkimin Evropian.
Në këtë konferencë morën pjesë edhe z. Johannes Madsen, Shef i Bashkëpunimit të Zyrës së BE-së në Kosovë, dhe znj. Veronika Vashchenko, Shefe e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë. Ata theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar për fuqizimin e të drejtave të fëmijëve dhe përmirësimin e politikave që sigurojnë mirëqenie, mbrojtje dhe zhvillim për çdo fëmijë.
Në qendër të diskutimeve ishte projekti “Mbrojtja e Fëmijëve të Cënueshëm në Kosovë”, një iniciativë e përbashkët e UNICEF-it dhe Bashkimit Evropian që synon fuqizimin e sistemit të mbrojtjes së fëmijëve në vend. Ky projekt fokusohet në ndërtimin e kapaciteteve institucionale dhe ofrimin e shërbimeve cilësore e gjithëpërfshirëse për fëmijët në situatë rruge, me aftësi të kufizuara, në rrezik nga dhuna, si dhe ata në konflikt me ligjin.
Në fjalën e tij, zëvendësministri Qorrolli theksoi përkushtimin e Ministrisë së Drejtësisë për forcimin e të drejtave të fëmijëve dhe ndërtimin e një sistemi funksional e të qëndrueshëm të shërbimeve sociale dhe familjare.
“Mbrojtja sociale është një hallkë kyçe për mirëqenien e qytetarëve, veçanërisht të fëmijëve më të cenueshëm. Përmes reformave ligjore dhe rritjes së investimeve, jemi duke ndërtuar një sistem gjithëpërfshirës të shërbimeve sociale që i përgjigjet nevojave reale në terren,” theksoi zëvendësministri Qorrolli.
Duke vendosur fëmijët në qendër të politikave të ministrisë, z. Qorrolli shtoi:
“Fëmijët janë pasuria më e çmuar e një shoqërie. Është përgjegjësi jonë të sigurojmë që çdo fëmijë në Kosovë të ketë një fëmijëri të sigurt, dinjitoze dhe me mundësi të barabarta për zhvillim.”
Ai falënderoi UNICEF-in, Bashkimin Evropian dhe organizatat partnere nga shoqëria civile për mbështetjen e tyre të vazhdueshme, duke theksuar po ashtu rëndësinë e përfshirjes aktive të komunave në ofrimin dhe zbatimin e shërbimeve sociale në nivel lokal.
Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar për zbatimin e standardeve më të larta ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve dhe do të vazhdojë të punojë në ndërtimin e një sistemi që garanton mbrojtje efektive dhe të barabartë për çdo fëmijë në Kosovë.