Sot, Ministrja e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu, mori pjesë në hapjen solemne të Javës së Ndihmës Juridike Falas.
Në fjalën e saj, Ministrja Haxhiu theksoi se “E drejta për qasje në drejtësi është një e drejtë themelore dhe jo privilegj.” Ajo nënvizoi rëndësinë e rolit të ANJF-së, të zyrave rajonale dhe mobilet të cilat ofrojnë shërbime ligjore falas në 30 komuna të vendit, duke qenë pranë qytetarëve në çdo cep të vendit.
Ministrja gjithashtu prezantoi të dhëna pozitive nga vitet e fundit, duke vënë në dukje se numri i përfituesve të ndihmës juridike falas ka pësuar një rritje të ndjeshme, krahasuar me të kaluarën. Vetëm në vitin 2022, ndihmë juridike është ofruar për 5,861 qytetarë. Në vitin 2023, ky numër është rritur në 6,081 përfitues, ndërsa në vitin 2024, ndihma juridike falas është ofruar për plot 8,049 qytetarë. Kjo përfaqëson një rritje prej 37.33% krahasuar me vitin 2022 dhe një rritje prej 32.36% krahasuar me vitin 2023. Këto të dhëna dëshmojnë për një nevojë në rritje, por edhe për një sistem që po funksionon më mirë, më shpejt dhe më pranë qytetarëve çdo vit.
Ministrja Haxhiu theksoi gjithashtu se ndihma juridike falas është më shumë se një shërbim ligjor; ajo është “gur themeli i shtetit të së drejtës dhe një mjet konkret për të garantuar barazi para ligjit.” Duke cituar Eleanor Roosevelt, ajo shtoi, “E drejta për drejtësi nuk do të thotë asgjë nëse nuk është e qasshme për të gjithë.”
Ajo shtoi gjithashtu, “Përmes kësaj jave dhe përtej saj, do të vazhdojmë të forcojmë mekanizmat e mbështetjes ligjore falas dhe të promovojmë drejtësinë si vlerë për të gjithë.”
Ministja e Drejtësisë falënderoi ANJF-në, organizatat e shoqërisë civile dhe partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Misionin e OSBE-së dhe GIZ-in, për bashkëpunimin e vazhdueshëm në forcimin e këtij shërbimi të rëndësishëm.