Ministrja në detyrë e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu, mori pjesë në konferencën për prezantimin e vlerësimit të sistemit të drejtësisë për fëmijët në konflikt me ligjin, me fokus në zbatimin e masave të diversitetit, organizuar nga KOMF dhe UNICEF në Kosovë, me mbështetjen e Bashkimit Evropian.
Në fjalën e saj, ministrja Haxhiu theksoi se ndërtimi i një sistemi të drejtësisë që vendos në qendër fëmijën, rehabilitimin dhe jo ndëshkimin, është jo vetëm një obligim ligjor dhe moral, por edhe një investim i domosdoshëm për një shoqëri të drejtë dhe të sigurt.
“Masat e diversitetit janë bërthama e drejtësisë për të miturit. Ato nuk nënkuptojnë një tolerim të paligjshmërisë, por një qasje që synon ndryshimin e sjelljes përmes edukimit, dialogut dhe përfshirjes, jo përmes izolimit apo penalizimit”, u shpreh ministrja në detyrë, znj. Haxhiu.
Duke iu referuar të dhënave, ministrja në detyrë, znj. Haxhiu shprehu shqetësimin për faktin se vetëm 10% e të miturve përfitojnë nga masat e diversitetit, ndërsa 90% përballen me procedura të rregullta gjyqësore.
Në fund, ministrja në detyrë, znj. Haxhiu duke u zotuar për përkushtim dhe angazhim në këtë drejtim, tha se këto të dhëna duhet të jenë nxitje për të forcuar qasjen institucionale dhe bashkëpunimin ndërinstitucional për çka kërkoi nga autoritetet përgjegjëse që të sigurojnë që këto masa të mos mbeten vetëm në letër, por të jenë funksionale, të qasshme dhe të zbatueshme për çdo fëmijë, në çdo qytet e në çdo rajon.