Skip to content
Certifikohen 76 kandidatë të cilët e kanë kaluar me sukses Provimin e Jurisprudencës

Certifikohen 76 kandidatë të cilët e kanë kaluar me sukses Provimin e Jurisprudencës

Prishtinë, 09/07/2025
Sot, në një ceremoni zyrtare të organizuar nga Ministria e Drejtësisë, u ndanë certifikatat për kandidatët që kanë përfunduar me sukses Provimin e Jurisprudencës. Në këtë ngjarje të rëndësishme për sistemin e drejtësisë në vend, të pranishëm ishin Kryetari dhe anëtarët e Komisionit të Provimit të Jurisprudencës, stafi i Ministrisë së Drejtësisë, kandidatët e certifikuar dhe familjarët e tyre.
Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, i cili ndau certifikatat për kandidatët e suksesshëm, tha se kjo ditë shënon jo vetëm certifikimin e profesionistëve të rinj të jurisprudencës, por edhe konfirmon përkushtimin e palëkundur të institucioneve për ndërtimin e një sistemi drejtësie të fortë, të drejtë dhe të pavarur.
“Ky certifikim nuk është thjesht një formalitet, por vulë zyrtare e përkushtimit tuaj të palodhur, orëve të panumërta të studimit dhe e pasionit tuaj për drejtësinë. Jeni ju që do ta mbani në duar të ardhmen e sundimit të ligjit në Kosovë dhe do të jeni gardianët e së drejtës, zëri i të pafuqishmëve dhe mbrojtësit e parimeve demokratike,” u shpreh zëvendësministri Sallahu.
Ai theksoi se roli i këtyre profesionistëve të rinj do të jetë thelbësor në garantimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve, duke kërkuar prej tyre integritet të lartë moral, paanshmëri dhe guxim në ushtrimin e detyrave të tyre.
Me këtë rast, zëvendësministri Sallahu falënderoi stafin e Ministrisë së Drejtësisë për organizimin dhe mbarëvajtjen e suksesshme të këtij provimi tejet domethënës për sistemin e drejtësisë në vend.
Skip to content