Skip to content
Zëvendësministri Qorrolli: Drejtësia tranzicionale dhe integrimi ndëretnik janë obligime morale, historike e juridike për demokracinë dhe paqen tonë

Zëvendësministri Qorrolli: Drejtësia tranzicionale dhe integrimi ndëretnik janë obligime morale, historike e juridike për demokracinë dhe paqen tonë

Prishtinë, 15/09/2025
Prishtinë, 15 shtator 2025 – Zëvendësministri në detyrë i Drejtësisë, z. Vigan Qorrolli, mori pjesë sot në panelin me temën: “Si mund të rrisim bashkëpunimin dhe mirëkuptimin ndëretnik në Kosovë?”, të organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS).
Në këtë tryezë, ku morën pjesë edhe Avokati i Popullit z. Naim Qelaj, drejtori ekzekutiv i QKSS z. Mentor Vrajolli, si dhe znj. Aferdita Sylaj, drejtoreshë ekzekutive e organizatës Community Building Mitrovica, u diskutua për sfidat dhe mundësitë në forcimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërtimin e paqes së qëndrueshme në Kosovë.
Në fjalën e tij, zëvendësministri Qorrolli theksoi se drejtësia tranzicionale dhe integrimi ndëretnik nuk janë vetëm çështje politike, por obligime morale, historike e juridike për demokracinë dhe paqen.
“Ajo që bëjmë sot, institucionet, ligjet, drejtësia dhe qytetarët – është ajo që do të trashëgojmë nesër, ajo që do të tregojmë për veten tonë dhe për brezat që vijnë,” tha zëvendësministri Qorrolli.
Ai theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për krijimin e kushteve për pajtim dhe integrim të grupeve etnike, duke promovuar të drejtat dhe interesat pa dallim. Në këtë kuadër, Qorrolli kritikoi mungesën e bashkëpunimit nga Serbia në zbardhjen e fatit të mbi 1,600 personave të pagjetur nga lufta, duke theksuar se politika e mohimit nuk sjell drejtësi, por vetëm padrejtësi të reja.
Zëvendësministri Qorrolli gjithashtu prezantoi hapat konkretë të ndërmarra nga Qeveria në fushën e drejtësisë tranzicionale, përfshirë Strategjinë për Drejtësinë Tranzicionale 2024–2034, themelimin e Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës dhe reformat ligjore që ndihmojnë në dokumentimin e krimeve, kërkimin e përgjegjësisë dhe forcimin e kohezionit shoqëror.
“Nuk ka pajtim pa të vërtetën, nuk ka të ardhme pa kujtesë dhe nuk ka demokraci pa barazi. Një komb është i fortë jo kur mbyllet në plagët e veta, por kur ka guxim t’i ndajë ato me botën dhe t’i shërojë bashkë,” përfundoi zëvendësministri Qorrolli.
Skip to content