Skip to content
Sot filloi punëtoria e parë për hartimin e Koncept Dokumentit për fushën e rikthimit të pasurisë

Sot filloi punëtoria e parë për hartimin e Koncept Dokumentit për fushën e rikthimit të pasurisë

Prishtinë, 18/09/2025
Filloi punëtoria e parë e Grupit Punues për hartimin e Koncept Dokumentit për fushën e rikthimit të pasurisë, e organizuar nga Ministria e Drejtësisë me mbështetjen e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).
Në hapje të punëtorisë, fjalë rasti mbajti U.D. Ministri i Drejtësisë, z. Blerim Sallahu, i cili theksoi se hartimi i këtij koncept dokumenti është pjesë e reformave gjithëpërfshirëse në drejtësi dhe dëshmi e vendosmërisë së institucioneve të Republikës së Kosovës për të forcuar mekanizmat kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ai theksoi rëndësinë e harmonizimit të legjislacionit vendor me direktivat e Bashkimit Evropian, duke nënvizuar se rikthimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme është një ndër shtyllat kryesore të luftës së përbashkët kundër krimit.
Fjalë rasti mbajti edhe U.D. Kryeprokurori i Shtetit, z. Besim Kelmendi, i cili theksoi rolin e sistemit prokurorial në këtë proces dhe rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional për një zbatim sa më efikas të ligjit.
Ky proces do të kontribuojë në fuqizimin e kapaciteteve të institucioneve përgjegjëse, përmes qartësimit të mandatit dhe zgjerimit të kompetencave të Zyrës për Rikthimin e Aseteve, si dhe përforcimit të bashkëpunimit vendor dhe ndërkombëtar në këtë fushë.
Punëtoria do të vazhdojë edhe nesër me diskutime të detajuara mes përfaqësuesve të institucioneve relevante dhe ekspertëve, me qëllim të finalizimit të një dokumenti gjithëpërfshirës dhe në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare.
Skip to content