Ushtruesi i detyrës së Ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, mori pjesë sot në panelin me temë “Reforma në Drejtësi – Procesi i Rivlerësimit Kalimtar të Magjistratëve (Vetting)”
Në fjalën e tij, ministri Sallahu theksoi se Kosova, njësoj si Shqipëria, po ndërmerr reforma të thella në sistemin gjyqësor dhe prokurorial, të cilat janë pjesë e pandashme e procesit të integrimit evropian dhe të ndërtimit të një drejtësie me integritet dhe llogaridhënie.
“Këto reforma nuk janë përpjekje të izoluara, por pjesë e rrugëtimit tonë të përbashkët drejt Bashkimit Evropian. Falë bashkëpunimit me Komisionin e Venecias, kemi siguruar që reformat tona të jenë të harmonizuara me standardet më të larta ndërkombëtare”, deklaroi ministri Sallahu.
Ai rikujtoi se falë këtij bashkëpunimi, Kosova ka arritur të reformojë Këshillin Prokurorial të Kosovës, është në proces të themelimit të Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, dhe po punon në rishikimin e ligjeve procedurale për të rritur efikasitetin e sistemit gjyqësor.
Njëkohësisht, theksoi rëndësinë e Themelimit të Gjykatës Komerciale dhe të Gjykatës Administrative, që do të kontribuojnë në përmirësimin e qasjes në drejtësi.
Duke folur për procesin e vetingut, ministri Sallahu bëri të ditur se Kosova ka analizuar me kujdes modelin shqiptar dhe, pas konsultimeve me Komisionin e Venecias, ka zgjedhur një qasje më të fokusuar, që garanton efikasitet dhe rezultate të qëndrueshme.
Ai nënvizoi se Republika e Kosovës mbetet e perkushtuar në jetësimin e reformave të tilla, duke fuqizuar kështu sundimin e ligjit dhe duke rritur tutje qasjen dhe besimin e qytetareve në drejtësi.
Në fund të fjalës së tij, ministri Sallahu vuri theksin tek bashkëpunimi rajonal dhe koordinimi me Shqipërinë, duke theksuar se vetëm përmes reformave të qëndrueshme dhe bashkëpunimit të ngushtë mund të forcohet drejtësia dhe të përshpejtohet integrimi i përbashkët në Bashkimin Evropian.