Zëvendësministri i Drejtësisë, z. Vigan Qorrolli, mori pjesë sot në tryezën e organizuar nga Grupi per Studime Juridike dhe Politike (GLPS) me temën “Performanca e sistemit gjyqësor dhe prokurorial dhe vlerësimi qytetar ndaj këtyre institucioneve.”
Në ngjarje morën pjesë gjithashtu U.D. i Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, anëtari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Fahret Velija, kryetarë gjykatash, kryeprokurorë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe partnerë ndërkombëtarë.
Në fjalën e tij, zëvendësministri Qorrolli theksoi se reformat në drejtësi janë thelbësore për rikthimin e besimit të qytetarëve në institucione, duke nënvizuar se “pavarësia e sistemit të drejtësisë është e shenjtë, por ajo duhet të ecë krah për krah me përgjegjësinë dhe transparencën.”
Ai shtoi se Ministria e Drejtësisë është e përkushtuar në reforma të thella dhe të qëndrueshme, që do të garantojnë efikasitet më të madh të gjyqësorit, qasje më të lehtë të qytetarëve dhe forcim të llogaridhënies publike.
Në këtë kuadër, Qorrolli bëri të ditur se Ministria e Drejtësisë ka përfunduar hartimin e Ligjit për realizimin e të drejtës për gjykim brenda një afati të arsyeshëm, i cili do të procedohet për miratim menjëherë pas fillimit të punës së Kuvendit të ri.
Po ashtu, ai nënvizoi se Ligji për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i hartuar me standardet më të larta profesionale nga MD dhe i miratuar nga Kuvendi i Kosovës, vazhdon të mbetet i pezulluar në Gjykatën Kushtetuese prej më shumë se 20 muajsh. Zëvendësministri Qorrolli e cilësoi këtë si një vonesë të pajustifikuar që pengon zbatimin e një prej reformave më të rëndësishme për integritetin institucional dhe besimin publik në sundimin e ligjit.
Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar të avancojë reformat në drejtësi me synim garantimin e pavarësisë institucionale, efikasitetit dhe transparencës, në shërbim të qytetarëve të Republikës së Kosovës.