Skip to content
Qorrolli: Të dhënat e CEPEJ dëshmojnë përparimin e Kosovës drejt një drejtësie më efikase, transparente dhe të besueshme

Qorrolli: Të dhënat e CEPEJ dëshmojnë përparimin e Kosovës drejt një drejtësie më efikase, transparente dhe të besueshme

Prishtinë, 04/11/2025
Prishtinë, 4 nëntor 2025 – Zëvendësministri i Drejtësisë, z. Vigan Qorrolli, mori pjesë sot në tryezën e organizuar nga Këshilli i Evropës, në bashkëpunim me Komisionin Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ), me rastin e prezantimit të të dhënave të CEPEJ për vitin 2024, në kuadër të projektit rajonal “Dashboard Ballkani Perëndimor”.
Ngjarja u zhvillua në kuadër të programit “Forcimi i Cilësisë dhe Efikasitetit të Drejtësisë në Kosovë (KOSEJ III)” dhe mblodhi përfaqësues të institucioneve gjyqësore dhe prokuroriale, agjencive të pavarura dhe organizatave partnere ndërkombëtare.
Të pranishëm ishin drejtuesja e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, znj. Mary-Ann Hennessey, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, z. Albert Zogaj, drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, z. Yll Buleshkaj, si dhe ekspertë ndërkombëtarë nga CEPEJ dhe përfaqësues të institucioneve të drejtësisë.
Në adresimin e tij, zëvendësministri Vigan Qorrolli vlerësoi rolin e të dhënave empirike si bazë për formulimin e politikave publike dhe planifikimin strategjik në drejtësi.
“Sistemet moderne të drejtësisë mbështeten në evidenca të matshme dhe në analiza të qëndrueshme. Të dhënat e CEPEJ për Kosovën janë indikatorë të qartë të përparimit, por edhe udhërrëfyes për përmirësime të mëtejshme. Përmes platformës ‘CEPEJ Dashboard’, po ndërtojmë një kulturë institucionale të bazuar në transparencë, efikasitet dhe përgjegjësi”, deklaroi ai.
Duke prezantuar zhvillimet e fundit në reformat ligjore dhe institucionale, zëvendësministri Qorrolli theksoi se Ministria e Drejtësisë po zbaton një agjendë të konsoliduar për modernizimin e sistemit gjyqësor, e cila përfshin paketën e gjashtë ligjeve reformuese që burojnë nga Deklarata e Përbashkët e Zotimit.
Kjo pako ligjore – që rregullon rekrutimin, vlerësimin e performancës, integritetin dhe statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve – është dërguar për vlerësim në Komisionin e Venecias, i cili tashmë ka dhënë katër opinione pozitive.
Një grup teknik ndërinstitucional po punon aktualisht në harmonizimin e plotë të dispozitave me standardet evropiane.
Zëvendësministri Qorrolli gjithashtu prezantoi përparimet në Projektligjin për Gjykimin Brenda Kohës së Arsyeshme dhe Projektligjin për Gjykatën Administrative, duke theksuar rëndësinë e tyre për rritjen e qasjes, besueshmërisë dhe efikasitetit të sistemit gjyqësor.
Në fund të fjalës së tij, zëvendësministri Qorrolli falënderoi Këshillin e Evropës, CEPEJ, si dhe partnerët institucionalë për bashkëpunimin afatgjatë, duke theksuar se: “Reformat e drejtësisë kërkojnë koherencë, evidencë dhe përkushtim të përbashkët. Me mbështetjen e partnerëve evropianë, Kosova po ndërton një sistem drejtësie që reflekton vlerat e shtetit të së drejtës dhe standardet e Bashkimit Evropian.

 

Skip to content