Ushtruesi i detyrës së Ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka marrë pjesë në takimin e shtatë të Nënkomitetit për Drejtësi, Liri dhe Siguri, një forum kyç për avancimin e agjendës evropiane të Republikës së Kosovës.
Në fjalimin e tij, Ministri Sallahu theksoi se, pavarësisht sfidave gjatë viteve të fundit, Kosova ka vazhduar implementimin e reformave që synojnë forcimin e shtetit të së drejtës, konsolidimin institucional dhe avancimin e standardeve demokratike.
Tutje, ushtruesi i detyrës së Ministrit vuri në pah rëndësinë e reformave ligjore dhe institucionale që synojnë pavarësi, integritet dhe efikasitet në sistemin gjyqësor, me theks të veçantë në zbatimin e Deklaratës së Përbashkët të Zotimit, projektligjet për Këshillin Gjyqësor, Akademinë e Drejtësisë dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Gjithashtu, u.d. Ministri Sallahu, theksoi progresin në luftën kundër korrupsionit, përmes pakos ligjore kundër korrupsionit, duke përmendur Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë, funksionalizimin e Task-Forcës Anti-Korrupsion dhe Ekipin e Përbashkët të Hetimeve, Ligjin për Sinjalizim dhe themelimin e Fondit të Konfiskimit.
Një nismë tjetër e rëndësishme, sipas ushtruesit të detyrës së Ministrit, Blerim Sallahu, është edhe projekti i Kodit Civil, një nismë madhore që synon modernizimin e kuadrit ligjor të vendit dhe harmonizimin e tij me të drejtën e Bashkimit Evropian, duke përmirësuar sigurinë juridike dhe klimën e investimeve në vend.
Prioritet tjetër i veçantë, sipas u.d. Ministrit Sallahu, mbetet mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe barazia gjinore nëpërmjet zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave 2022–2026, si dhe Strategjia për Drejtësi Tranzicionale 2024–2034, e cila adreson krimet dhe shkeljet e të drejtave të njeriut gjatë luftës.
Krejt në fund, ushtruesi i detyrës së Ministrit, Blerim Sallahu, tha se nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë me Bashkimin Evropian dhe me partnerët ndërkombëtarë, do të arrihen rezultate të qëndrueshme dhe të prekshme për qytetarët e Republikës së Kosovës.