Skip to content
Shënohet 26 vjetori i themelimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës

Shënohet 26 vjetori i themelimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës

Prishtinë, 21/11/2025
Ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, sot ka marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të 26 vjetorit të themelimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, ku vlerësoi lartë profesionalizmin, integritetin dhe aftësitë transformuese të këtij institucioni.
Në këtë ngjarje e pranishme ishte edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.
Në fjalën e tij, Ministri Sallahu foli për rolin e Ministrisë së Drejtësisë si partner strategjik në transformimin e SHKK-së, duke përmendur projektet kapitale si: Qendra Korrektuese për Femra në Lipjan, Shtëpia e Nënave me Fëmijë, projekti i burgut të ri të Prizrenit, zgjerimi i kapaciteteve në Institutin e Psikiatrisë Forenzike dhe funksionalizimi i Pavijonit “D” në Dubravë.
Sallahu tha se Qeveria e Kosovës ka dëshmuar se “vizioni ynë për një sistem korrektues modern nuk është retorikë, por realitet që po ndërtohet me punë dhe me përkushtim”.
Në aspektin ndërkombëtar, Ministri Sallahu tha se sot Kosova është pjesë e rrjeteve më të rëndësishme ndërkombëtare si EuroPris dhe ICPA, duke e vënë sistemin tonë korrektues në hartën e bashkëpunimit evropian. Tutje, përmendi Çmimin ndërkombëtar për Ekselencë për SHKK-në nga Organizata Ndërkombëtare e Burgjeve, çmim të cilin e konsideroi dëshmi të punës së vlerësuar dhe rreshtuar me standardet më të larta globale
Derisa i uroi për përvjetorin e 26-të të ShKK-së, Sallahu ritheksoi mbështetjen e Ministrisë së Drejtësisë për garantimin e një sistemi korrektues të qëndrueshëm dhe të besueshëm, përmes investimeve të reja me standarde më të larta të trajnimit, me teknologji bashkëkohore dhe me fokus të palëkundur në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Skip to content