Skip to content
Fillon zyrtarisht fushata globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”

Fillon zyrtarisht fushata globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”

Prishtinë, 25/11/2025
Sot u mbajt hapja ceremoniale e fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, e cila këtë vit zhvillohet nën moton “E drejta është e saj. Sot dhe çdo ditë tjetër”.
Në këtë ceremoni krahas ushtruesit të detyrës së Ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, morën pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, zëvendëskryesuesja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Arjeta Sadiku, koordinatorja kombëtare për dhunë në familje, Laura Pula, përfaqësues institucionalë, organizata të shoqërisë civile dhe partnerë ndërkombëtarë, duke dëshmuar angazhimin e përbashkët për barazi dhe mbrojtje të të drejtave të grave dhe vajzave.
Në fjalimin e tij, u.d. Ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, theksoi se barazia gjinore dhe lufta kundër dhunës me bazë gjinore mbeten prioritete të pandashme të institucioneve të drejtësisë. Ai nënvizoi se barazia në pronë dhe fuqizimi ekonomik i grave janë elemente kyçe për pavarësinë, sigurinë dhe mbrojtjen nga dhuna, ndërsa përjashtimi i padrejtë nga prona shpesh krijon varësi që ushqen mekanizma dhune. Në këtë kuadër, ai vuri në pah reformat e ndërmarra, duke përfshirë ashpërsimin e ndëshkimeve për dhunën në familje, ngritjen e mekanizmave ndërinstitucionalë dhe mbështetjen e vazhdueshme të viktimave.
Ministri Sallahu rikujtoi se drejtësia nuk matet vetëm me ligje dhe strategji, por me ndryshimin real në jetën e njerëzve. Ai theksoi se këto 16 ditë nuk janë vetëm fushatë ndërgjegjësimi, por ripërtëritje e zotimit institucionesh që çdo grua dhe vajzë të jetë e lirë, e barabartë dhe e sigurt. Ministria e Drejtësisë do të vazhdojë të udhëheqë përpjekjet institucionale në mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, barazisë dhe drejtësisë për të gjithë.
Ndërkaq, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij hyrëse u shpreh se Qeveria e Republikës së Kosovës ka punuar me përkushtim për t’i fuqizuar mekanizmat e mbrojtjes dhe drejtësisë. Ai shtoi se krahas ligjit duhet guximi shoqëror, ngase siç tha ai, dhuna në familje nuk është problem privat, por është krim, cenim i sigurisë publike, cenim i demokracisë dhe i të drejtave.
Në ceremoninë e vitit të 5-të të shënimit të fushatës, nënkryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, u shpreh se përkundër punës së madhe ndër vite, ende shumë gra e fëmijë përballen me dhunë, teksa dha mesazhin se “dhunës i japim fund vetëm kur flasim hapur dhe me guxim, iu besojmë viktimat, nuk i heshtim, nuk i paragjykojmë dhe nuk ia kthejmë shpinën”.
Fushata globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, do të vazhdoj me realizimin e aktiviteteve të parapara deri më 10 dhjetor.
Skip to content