Skip to content
Ministri Sallahu vizitoi Zyrën Rajonale të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas në Prizren

Ministri Sallahu vizitoi Zyrën Rajonale të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas në Prizren

Prishtinë, 02/12/2025
Në kuadër të fushatës globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”, Ushtruesi i Detyrës i Ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, vizitoi Zyrën Rajonale të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas në Prizren.
Atje, ministri Sallahu u prit nga u.d Drejtori Ekzekutiv i ANJF-së, Faton Jashari, përgjegjësja e Zyrës së ANJF-së në Prizren, Fjorda Mujollar, zyrtari ligjor Mihat Sylejmani, si dhe zyrtarë të tjerë nga Theranda dhe Dragashi.
Gjatë takimit, ministri Sallahu shprehu mirënjohje për punën institucionale dhe njëkohësisht fisnike që ofrohet për kategoritë e cenueshme. Ai theksoi se ky angazhim duhet të vazhdoj me të njëjtin ritëm dhe të zgjerohet, në mënyrë që mbrojtja e këtyre kategorive të jetë sa më efikase. Po ashtu, ai vuri në pah rëndësinë e komunikimit të mirëfilltë institucional, i cili, siç theksoi, reflekton në zgjidhjen e problemeve dhe në ofrimin e mbështetjes së nevojshme për kategoritë e cenueshme, përfshirë edhe viktimat e dhunës.
Nga ana tjetër, përgjegjësja e Zyrës së ANJF në Prizren, Fjorda Mujollar, e informoi ministrin Sallahu me punën e deritanishme, duke bërë të ditur se gjatë vitit 2025 kanë trajtuar gjithsej 1000 raste, përfshirë 600 në qytetin e Prizrenit dhe nga 200 të tjera në Therandë dhe Dragash.
Gjatë vizitës, ministri Sallahu pati rastin të takonte edhe një nga palët, i cili ndau përvojën e tij pozitive me shërbimet e ofruara nga Zyra e ANJF-së në Prizren.
ANJF është Agjenci Ekzekutive në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, e vetmja në Republikën e Kosovës, përgjegjëse për organizimin dhe ofrimin e Ndihmës Juridike Falas.

Foto Galeria

Skip to content