Në vazhdën e aktiviteteve në Prizren për shënimin e fushatës globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”, Ushtruesi i Detyrës i Ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, vizitoi Qendrën për Fuqizimin dhe Mbrojtjen e Fëmijëve në situatë rruge në Nashec.
Gjatë bashkëbisedimit me stafin e qendrës, ministri Sallahu rikonfirmoi mbështetjen e Ministrisë së Drejtësisë për organizatën Terre des Homme, e veçanërisht në raport me funksionimin e kësaj qendre. Ai vlerësoi lart punën e koordinatorës, punonjësve socialë, psikologëve, mësuesës dhe ekipit mobil në terren, për ofrimin e shërbimeve që plotësojnë nevojat themelore të fëmijëve dhe familjes së tyre.
Në këtë qendër, ministri Sallahu pa nga afër hapësirat e veçanta në të cilat ofrohen shërbime të specializuara ditore për rreth 200 fëmijë nga komunitetet joshumicë. Shërbimet e ofruara nga kjo qendër përfshijnë vakte ushqyese, lojëra, aktivitete edukative dhe psikosociale, si dhe kurse të ndryshme dedikuar prindërve, të cilat ndikojnë në aftësimin dhe integrimin e tyre në fusha të ndryshme.