Në ambientet e “SOS Fshatrave të Kosovës”, ishte vizita e parë e ditës së sotme e Ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, aktivitet ky i realizuar në kuadër të fushatës Globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.
I mirëpritur nga Drejtoresha Nacionale, Nezahat Ramadani Salihu, dhe Drejtoresha për Avokim, Remzije Krasniqi, ministri Sallahu pati rastin të diskutojë për projekte specifike dhe misionin e veçantë të “SOS Fshatrave të Kosovës”.
Ministri Sallahu, gjatë bashkëbisedimit, falënderoi stafin për përkushtimin dhe angazhimin në përkujdesjen e fëmijeve dhe familjeve, teksa inkurajoi vazhdimësinë e komunikimit dhe bashkëpunimit në mënyrë që zgjidhjet e sfidave dhe problemeve të integrohen në udhëzimet e reja administrative.
Nga ana tjetër, drejtoresha Nezahat Ramadani Salihu, shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme për fëmijët e “SOS Fshatrave”, duke ritheksuar mbështetjen e Departamentit për Politika te Shërbimeve Sociale dhe Familjare në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.
Ajo njoftoi ministrin se në kuadër të projektit SOS Familjet, aktualisht janë 6 familje, ndërkaq përmes programit të Fuqizimit të Familjeve kanë përfituar 200 familje dhe 600 fëmijë në aspektin psiko-social, në edukim, mbështetje ligjore, mbështetje shëndetësore dhe mbështetje në fuqizimin ekonomik të familjeve. Familjet që janë pjesë e programit të Fuqizimit të familjes janë familje, të cilat ballafaqohen me shumë sfida dhe si rezultat i sfidave, janë në rrezik të humbjes së kujdesit prindëror.
Ndër të arriturat e tjera, për të cilat ministri Sallahu e përgëzoi drejtoreshën, ishte edhe punësimi i 200 të rinjve dhe ofrimi i granteve të ndryshme të cilat ndikojnë në fuqizimin e tyre.
Fondacioni “SOS Fshatrat e Fëmijëve” është organizatë joqeveritare e përkujdesjes sociale e dedikuar për përkrahjen e fëmijëve të braktisur dhe në nevojë.