Ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, vizitoi Qendrën Ditore për rehabilitimin e personave me probleme mendore “Dëshira”, e cila është themeluar që nga viti 2001 dhe ka mbi 120 anëtarë aktivë.
Ministri Sallahu u shpreh i lumtur për këtë vizitë nga afër, me ç’rast vlerësoi si të jashtëzakonshme vullnetin e hekurt të organizatës “Dëshira” për përkushtimin në aftësimin dhe integrimin në shoqëri të personave me probleme mendore. Teksa u informua për modulet e zhvilluara për anëtarët e organizatës, ministri konfirmoi mbështetjen ndaj tyre si një obligim moral dhe ligjor ndaj kategorive të ndjeshme të shoqërisë sonë.
Ndërkaq, Dr. Nustret Shillova, njëkohësisht drejtor i organizatës, tha se kanë bashkëpunim të ngushtë me gjashtë Qendrat e Shëndetit Mendor. Ai njoftoi se punojnë përmes programeve sociale dhe edukative, përfshirë edhe terapi individuale dhe grupore duke iu përshtatur nevojave të anëtarëve të organizatës. Tutje, veçoi edhe projektin që mbështetet nga Ministrisë së Drejtësisë, përmes të cilit anëtarët e shoqatës realizojnë aktivitete të ndara në faza rehabilituese dhe socializuese.
Në fund, Ministri tha se ndihet krenar që këta persona, pavarësisht sfidave, janë aktivë, angazhohen dhe punojnë për t’u integruar në shoqëri.
Ky takim u realizua në kuadër të Fushatës Globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.