Sot, u zhvillua një takim i rëndësishëm ndërmjet Zëvendësministrit në detyrë të Drejtësisë të Republikës së Kosovës, z. Vigan Qorrolli, dhe ekipit të Bankës Botërore, ku u prezantuan rezultatet preliminare të anketës së Drejtësisë 2025. Ky takim, që kishte për qëllim shqyrtimin e gjetjeve nga ky proces, u zhvillua në kuadër të projektit EU4 Rule of Law, i cili mbështet krijimin e politikave të bazuara në të dhëna për përmirësimin e performancës së sistemit të drejtësisë në Ballkanin Perëndimor.
Në këtë ngjarje të rëndësishme ishin gjithashtu të pranishëm z. Lulzim Beqiri, Drejtor i Departamentit Ligjor në Ministrinë e Drejtësisë, si dhe ekspertët nga Banka Botërore, Klaus Decker, Udhëheqësi i Ekipit dhe Specialisti i Lartë i Sektorit Publik dhe Ermal Vila, Specialist i qeverisjes.
Një prej qëllimeve kyçe të këtij takimi ishte diskutimi mbi të dhënat e mbledhura gjatë anketës, e cila ka për qëllim të ofrojë një pasqyrë të thelluar mbi funksionimin dhe zhvillimet e fundit në sistemin e drejtësisë. Pjesëmarrësit diskutuan rezultatet preliminare të anketës, duke theksuar rëndësinë e këtij procesi në kontekstin e përmirësimit të besueshmërisë së qytetarëve dhe bizneseve në drejtësi. Reforma e ndërmarrë deri tani ka pasur impakt pozitiv në ngritjen e transparencës dhe efikasitetit të institucioneve të drejtësisë, duke kontribuar në forcimin e shtetit të së drejtës.
Në këtë drejtim, Zëvendësministri Qorrolli theksoi se rezultatet e anketës do të shërbejnë si një mjet i rëndësishëm për analizën dhe përmirësimin e mëtejshëm të sektorit të drejtësisë. Ai gjithashtu shprehu angazhimin e Ministrisë së Drejtësisë për të përdorur këto të dhëna në përgatitjen e raporteve analitike dhe rekomandimeve të politikave, që do të ndihmojnë në avancimin e procesit të reformës dhe në forcimin e kapaciteteve institucionale.
Banka Botërore, përmes këtij projekti, ka ofruar mbështetje teknike për të siguruar që këto reforma të jenë të qëndrueshme dhe të mbështesin Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian. Gjetjet e anketës do të shërbejnë si një bazë e fortë për përgatitjen e masave të mëtejshme për zhvillimin dhe modernizimin e sistemit të drejtësisë, duke përfshirë aspekte të rëndësishme si digjitalizimi i këtij sektori dhe forcimi i kapaciteteve institucionale në përputhje me Strategjinë e Sundimit të Ligjit 2021-2026.
Ky takim është një hap tjetër në mbështetje të qëllimit të përbashkët për një sistem drejtësie më të fuqishëm dhe më të besueshëm, që do të ndikojë në zhvillimin e qëndrueshëm dhe integrimin e Kosovës në strukturat Euro Atlantike.