Në kuadër të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore” dhe Ditës Botërore të të Drejtave të Njeriut, Ministria e Drejtësisë ka organizuar sot tryezën me temën “Kompensimi i viktimave të krimit në Kosovë: funksionimi dhe sfidat”. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të Zyrës së Këshillit Evropia, përfaqësues institucionalë, organizata të shoqërisë civile dhe ekspertë të fushës së drejtësisë dhe mbrojtjes së viktimave.
Në fjalën e tij, Ushtruesi i Detyrës së Ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, tha se mbrojtja e viktimave të krimit është një ndër prioritetet kryesore të qeverisjes, duke nënvizuar se që prej fillimit të mandatit, mbi 650 kërkesa për kompensim janë trajtuar nga Komisioni për Kompensimin e Viktimave të Krimit dhe mbi 1 milion euro kompensim janë aprovuar për viktimat, pra shuma më e lartë e paguar ndonjëherë nga shteti në këtë fushë.
Tutje Ministri Sallahu vlerësoi se këto rezultate paraqesin një hap të rëndësishëm drejt garantimit të një drejtësie më humane dhe më të aksesueshme, duke theksuar se “viktimat nuk do të lihen vetëm” dhe se institucionet shtetërore duhet të ofrojnë mbështetje të menjëhershme dhe efikase për të gjithë qytetarët që kanë përjetuar dhunë ose krim.
Ai gjithashtu theksoi se puna për forcimin e mekanizmave mbetet e pandalur dhe se Ministria e Drejtësisë do të vazhdojë të fuqizojë kapacitetet profesionale dhe institucionale, në mënyrë që çdo viktimë të ketë qasje të drejtë, të barabartë dhe dinjitoze në shërbimet e kompensimit dhe mbrojtjen që e garanton ligji.
Gjatë tryezës u prezantua puna, funksionini dhe sfidat e Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit.