Ushtruesi i Detyrës i Ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, mori pjesë në konferencën përmbyllëse të projektit të përbashkët të BE-së/Këshillit të Evropës “Projekti kundër Krimit Ekonomik” (РЕСК), i cili aktualisht është në fazën e tretë të zbatimit.
Ministri Sallahu, në fjalën e tij, fillimisht shprehu mirënjohje për bashkëpunimin 14 vjeçar me Këshillin e Evropës, përmes të cilit janë realizuar një seri arritjesh konkrete që kanë transformuar kapacitetet e institucioneve tona dhe e kanë afruar Kosovën me standardet evropiane.
“Dua të theksoj se Ministria e Drejtësisë tanimë ka dërguar kërkesë BE-së që faza e 4-të e PECK mundësisht te inkorporohet për IPA 2026 -2027”, u shpreh ministri Sallahu.
Ai shtoi se ky bashkëpunim duhet të thellohet në një cikël të ri që synon: forcimin e kapaciteteve të institucioneve për zbatimin efektiv të masave parandaluese kundër korrupsionit, pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit; avancimin e integritetit të zyrtarëve publikë dhe forcimin e mekanizmave të mbrojtjes së sinjalizuesve dhe të menaxhimit të konfliktit të interesit; rritjen e transparencës në financimin e subjekteve politike; fuqizimin profesional të organeve të zbatimit të ligjit për hetimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë dhe pastrimit të parave, veçanërisht rasteve të strukturuara dhe komplekse; si dhe rritjen e transparencës së pronësisë përfituese.
Kjo ngjarje bëri bashkë zyrtarë të lartë publikë që përfaqësojnë institucionet përfituese, ministrat përkatës, sektorin privat, organet e zbatimit të ligjit, BE-në dhe komunitetin e donatoreve ndërkombëtare, si dhe Këshillin e Evropës.