Ushtruesi i Detyrës i Ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, sot ka pritur në takim Ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı. Në takim ishte edhe Sekretarja e parë Aylin Senyüz, njëkohësisht përgjegjëse për çështje konsullore, asistentja Ajsel Polak dhe zyrtarja nga Ministria e Drejtësisë, Anesa Sllovinja.
Ministri Sallahu dhe Ambasadori Angılı diskutuan për çështjet e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar mes Kosovës dhe Turqisë dhe shkëmbimin e praktikave më të mira në fushën e drejtësisë.
Të dy palët u shprehën të gatshme për avancimin e iniciativave të përbashkëta që kontribuojnë në sundimin e ligjit.
Ministri Sallahu e njoftoi Ambasadorin Angılı edhe për reformën në drejtësi, avancimin e infrastrukturës ligjore dhe rritjen e transparencës institucionale. Ai theksoi se këto reforma janë thelbësore për forcimin e shtetit të së drejtës dhe përmbushjen e standardeve ndërkombëtare.
Në fund të takimit, Ministri Sallahu shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë dhe rëndësinë e këtij partneriteti për të ardhmen e përbashkët të të dy vendeve.