Sot, Ministria e Drejtësisë zhvilloi një takim me përfaqësuesit e delegacionit të Komitetit të Këshillit të Evropës për Parandalimin e Torturës (CPT), të udhëhequr nga Victor Zaharia.
Fillimisht, përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë i uruan mirëseardhje delegacionit dhe i falënderuan për raportet përmbajtësore dhe nxitëse në drejtim të përmirësimit të sistemit të drejtësisë, në veçanti në fushën e ekzekutimit të sanksioneve penale në Republikën e Kosovës.
Gjatë takimit, u diskutua për avancimin e vazhdueshëm në sistemin korrektues që ndërlidhet me zbatimin e rekomandimeve të këtij mekanizmi të Këshillit të Evropës.
Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, prezantoi gjendjen aktuale të SHKK-së, duke u fokusuar në finalizimin e hartimit të legjislacionit primar dhe sekondar, luftën kundër korrupsionit, reformat në programet rehabilituese, funksionalizimin e institucionit për trajtimin e personave me nevoja të veçanta, si dhe investimet në infrastrukturë.
Në përfundim të takimit, u riafirmua gatishmëria për vazhdimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në fushën e drejtësisë dhe sundimit të ligjit në tërësi.