Skip to content
Zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla pranoi detyrën e re si Ministre e Drejtësisë

Zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla pranoi detyrën e re si Ministre e Drejtësisë

Prishtinë, 13/02/2026

Në një ceremoni zyrtare të zhvilluar gjatë ditës së djeshme, u bë pranimi i detyrës së Ministres së re të Drejtësisë. Ish Ushtruesi i Detyrës së Ministrit, Blerim Sallahu, dorëzoi përgjegjësitë dhe detyrat e ministrisë tek Ministrja e re e Drejtësisë, Donika Gërvalla, njëherësh edhe Zëvendëskryeministre në Qeverinë e Kosovës.

Me këtë rast, Ministrja Gërvalla theksoi rëndësinë dhe rolin e Ministrisë së Drejtësisë si strukturë kyçe e shtetit në konsolidimin institucional dhe forcimin e sundimit të ligjit.

“E vetëdijshme për rolin vendimtar që ky dikaster, si strukturë kyçe e shtetit, luan në konsolidimin e tij dhe përkushtimin e palëkundur për të krijuar institucione të forta, ligj të zbatueshëm dhe drejtësi të barabartë për të gjithë”, u shpreh Ministrja Gërvalla.

Ajo theksoi më tej se drejtësia është gurthemeli i Republikës dhe se reformat në drejtësi përbëjnë dëshmi të vendosmërisë së Qeverisë së Kosovës për ndërtimin e një shteti ku ligji zbatohet pa dallim, ku përgjegjësia nuk shmanget dhe ku drejtësia nuk njeh emër, pozitë apo ndikim.

“Kjo është beteja jonë për drejtësi, dinjitet institucional dhe besimin e qytetarëve. Askush nuk guxon të jetë mbi ligjin. Ky është parimi që udhëheq kauzën tonë dhe garancia se Republika e Kosovës do të qëndrojë gjithmonë edhe më e fortë, edhe më e drejtë dhe edhe më krenare për secilin qytetar të Kosovës. Na priftë e mbara!”, theksoi Ministrja Gërvalla.

Foto Galeria

Skip to content