Zëvendëskryeministrja dhe Minstrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, mbrëmë mori pjesë në mbrëmjen gala “TEUTAT”, e cila u mbajt në Cyrih të Zvicrës, e organizuar nga Swissalbs Women dhe znj. Arbela Statovci.
Në këtë mbrëmje, e cila u shndërrua në platformë që jo vetëm feston arritjet e grave, por edhe fuqizon vizionin për një shoqëri më të drejtë dhe më gjithëpërfshirëse, Ministrja Gërvalla ritheksoi se fuqizimi i gruas është fuqizim i vetë shoqërisë.
“Mbrëmja e djeshme solli histori që frymëzojnë. Gra që ndanë histori, që treguan se sa shumë mund të bëhet kur ka solidaritet dhe mundësi të barabarta. Gratë sjellin perspektiva, ndjeshmëri dhe zgjidhje që e pasurojnë shoqërinë. Fuqizimi i tyre nuk nënkupton imitimin e roleve të burrave, por njohjen dhe vlerësimin e kontributit të tyre unik, të pazëvendësueshëm”, u shpreh ajo.
Tutje, duke vlerësuar veprimtaritë e tyre, Ministrja përmendi gra të shquara sikurse Emina Cunmulaj për angazhimin në bamirësi dhe solidaritet; Dr. Vera Ora, specialiste e psikiatrisë, për kontributin në një dimension që shpesh neglizhohet në shoqërinë tonë – shëndetin mendor; si dhe znj. Kadire Tahiraj për punën e saj në Qendrën për Promovimin e të Drejtave të Grave, e cila dëshmon se mbrojtja e të drejtave të grave është angazhim konkret për siguri, dinjitet e më shumë mundësi.
Nga mbrëmja gala “Teutat” e cila u pasurua edhe në dimensionin kulturor përmes djemve dhe vajzave të Ansamblit Trojet, Ministrja Gërvalla i uroi të gjitha grave të forta, të hekurta dhe të pathyeshme, për Ditën Ndërkombëtare të Gruas, duke theksuar se 8 marsi është një nga 365 ditët në të cilat gratë çdo ditë shkëlqejnë. Sipas saj, kjo është fuqia e vërtetë e barazisë, dhe pasuria më e çmuar e një shoqërie që synon drejtësi e përparim.