Skip to content
Ministrja Gërvalla: Dhuna ndaj grave, brenda familjes dhe në shoqëri, është një nga plagët më të rënda të kohës sonë

Ministrja Gërvalla: Dhuna ndaj grave, brenda familjes dhe në shoqëri, është një nga plagët më të rënda të kohës sonë

Prishtinë, 09/03/2026

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, mori pjesë në një mbrëmje diskutimi të organizuar në qytetin Cyrih-Zvicër, kushtuar luftës kundër dhunës ndaj grave dhe fuqizimit të tyre në shoqëri.

Me këtë rast, ministrja Gërvalla tha se dhuna ndaj grave, brenda familjes dhe në shoqëri, mbetet një nga plagët më të rënda të kohës sonë duke vazhduar tutje se çdo akt dhune ndaj grave është i papranueshëm dhe duhet të dënohet pa kompromis.

“Një burrë që guxon të ngre dorën ndaj gruas është burrë i ligë. Pikë. Shumë gra përballen me dhunë fizike, psikologjike, ekonomike apo emocionale. Shpesh kjo dhunë ndodh në heshtje, pas dyerve të mbyllura, larg syve të shoqërisë. Frika, turpi, varësia ekonomike apo mungesa e mbështetjes i detyrojnë shumë prej tyre të heshtin. Por një shoqëri që hesht përballë dhunës ndaj grave nuk është shoqëri e drejtë dhe e denjë. Ajo bëhet bashkëfajtore,” theksoi ajo.

Ministrja Gërvalla tha se një shoqëri e denjë nuk toleron dhunën ndaj grave, por angazhohet për t’i mbrojtur dhe fuqizuar ato në çdo aspekt të jetës.

Gjatë qëndrimit në Cyrih, ministrja Gërvalla ishte në mesin e shumë grave dhe zonjave të forta, në një mbrëmje që synonte jo vetëm festimin e arritjeve të grave, por edhe reflektimin mbi sfidat me të cilat ato vazhdojnë të përballen.

Në këtë kontekst, ajo falënderoi znj. Valdete Hoti, kryetare e shoqatës “Parandalo”, e cila në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bernë mundësoi organizimin e këtij aktiviteti dhe krijimin e një hapësire të rëndësishme diskutimi për një çështje që kërkon vëmendje dhe angazhim të vazhdueshëm.

Mirënjohje të veçantë ajo shprehu edhe për panelistet Dr. Feride Rushiti, Dr. Xhida Lumi dhe Dr. Luljeta Shaqiri Emini për kontributin e tyre profesional dhe perspektivat e rëndësishme që sollën në diskutimin mbi mbrojtjen e të drejtave të grave dhe luftën kundër dhunës me bazë gjinore.

Tutje, ministrja Gërvalla foli për rolin e gruas shqiptare gjatë historisë duke e quajtur krenare, fisnike dhe qëndrestare.

“Pesha që gruaja shqiptare ka bartur mbi supe përgjatë gjithë historisë është e patjetërsueshme. Nuk ka forcë që mund ta ndalë kur ajo vendos të qëndrojë për dinjitetin, lirinë dhe të drejtat e saj”, theksoi ajo.

Në përmbyllje, ajo ritheksoi përkushtimin institucional për të luftuar dhe parandaluar çdo formë dhune ndaj grave, si dhe për të mbështetur, mbrojtur dhe fuqizuar çdo grua dhe vajzë që kërkon drejtësi, siguri dhe respekt.

“Fuqizimi i gruas është fuqizimi i vetë shoqërisë”, përfundoi ajo.

Skip to content