Skip to content
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla: 45 vjet nga demonstratat e vitit 1981 – “Kosova Republikë!”

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla: 45 vjet nga demonstratat e vitit 1981 – “Kosova Republikë!”

Prishtinë, 11/03/2026

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka kujtuar sot 45-vjetorin e demonstratave të vitit 1981, një nga momentet më të rëndësishme të rezistencës së popullit të Kosovës për liri dhe barazi.

Deklarata e Ministres:

Në pranverën e vitit 1981, zemra e Kosovës u ngrit kundër pushtimit serb dhe shtypjes që ushtronte aparati i egër i Jugosllavisë, e që kishte mbërthyer rëndë vendin. Studentët e Universitetit të Prishtinës u bënë zëri i një populli të tërë, duke sfiduar brutalitetin dhe padrejtësitë e imponuara nga fuqia dominuese barbaro-serbe. Ajo revoltë nuk ishte thjesht demonstratë, ishte shprehje e krenarisë kombëtare, guximit qytetar dhe vendosmërisë për të mos u nënshtruar kurrë.

Demonstrata të mëdha u organizuan më 26 mars, si dhe më 1 dhe 2 prill 1981, duke e shndërruar lëvizjen studentore në një mobilizim të gjerë popullor në gjithë Kosovën. Pikërisht në këtë kontekst u artikulua hapur kërkesa politike që do të mbetej simbol i asaj periudhe: “Kosova-Republikë!”

Parulla “Kosova-Republikë” u bë simbol i aspiratës për liri dhe dinjitet, duke ndezur flakën që do të ushqente Deklaratën Kushtetuese më 2 korrik 1990, Kushtetutën e Kaçanikut më 7 shtator 1990, dhe më në fund, shpalljen e pavarësisë së Kosovës Republikë më 17 shkurt 2008.

45 vjet më vonë, kujtojmë me nder studentët, të plagosurit e të burgosurit politikë dhe organizatorët e asaj kohe, që sfiduan barbarinë serbe dhe mbajtën gjallë dhe e jetësuan ëndrrën e një Kosove të lirë dhe sovrane.

Lavdi përjetë të rënëve për Kosovën Republikë!

Foto Galeria

Skip to content