Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka mirëpritur vendimin e sotëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin Dejan Raciq u dënua me 15 vjet burg për krime lufte, konkretisht për krimin e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
“Ky është rasti i katërt që drejtësia vendase ndëshkon autorët e këtyre krimeve, duke treguar se heshtja dhe mosndëshkueshmëria dalëngadalë po i afrohen fundit. Rruga mbetet e gjatë, po në fund, drejtësia dhe e vërteta gjithmonë fitojnë”, tha ministrja Gërvalla.
Ajo shprehu mbështetje për të mbijetuarat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës ndërsa falenderoi QKRMT-në për mbështetjen e palëkundur ndaj të mbijetuarve gjatë gjithë procesit gjyqësor.
“Duke falënderuar këtë organizatë, falënderojmë edhe të gjitha organizatat dhe aktivistët që çdo ditë, me një angazhim të jashtëzakonshëm dhe vetëmohues, angazhohen për të mbijetuarat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë”, deklaroi ministrja Gërvalla.
Tutje ministrja Gërvalla vlerësoi gjithashtu qëndrimin e të mbijetuarave, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme institucionale dhe shoqërore.
“Është për t’u admiruar qëndrimi dinjitoz i heroinave tona, të mbijetuarave, të cilat përsëri po dëshmojnë integritet dhe guxim të pashoq, duke u ballafaquar, tashmë në sallë të gjyqit, me ata që kryen krime të papërshkrueshme ndaj tyre”, deklaroi ministrja Gërvalla duke shtuar se këto gra dhe këta burra meritojnë respektin dhe mbështetjen edhe më të fortë e më të gjerë të institucioneve dhe të shoqërisë sonë.
“Drejtësi për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”, tha ministrja Gërvalla.