Skip to content
Zëvendësministri Nimoni: Mënyra se si mbrojmë më të cenueshmit, është matësi i vërtetë i drejtësisë e mbështetjes tonë institucionale

Zëvendësministri Nimoni: Mënyra se si mbrojmë më të cenueshmit, është matësi i vërtetë i drejtësisë e mbështetjes tonë institucionale

Prishtinë, 31/03/2026
Zëvendësministri i Drejtësisë, z. Genc Nimoni, mori pjesë në ceremoninë zyrtare të nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet komunave të Prishtinës, Obiliqit, Lipjanit, Podujevës, Fushë Kosovës, dhe të Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë. Në këtë ngjarje të pranishëm ishin edhe Shefi i Misionit të OSBE-së në Republikën e Kosovës, z. Gerard McGurk, kryetarë dhe nënkryetarë të komunave, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave civile.
Në fjalën e tij, Zëvendësministri Nimoni e cilësoi këtë memorandum si hap të rëndësishëm në forcimin e mbështetjes institucionale për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, dhe për garantimin e qëndrueshmërisë dhe cilësisë së shërbimeve që ofrohen nga strehimoret.
Ai shprehu zotimin e Ministrisë së Drejtësisë në ndërmarrjen e hapave të rëndësishëm në forcimin e sistemit të mbrojtjes, duke përmendur miratimin e Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore, hartimin dhe zbatimin e Strategjisë Kombëtare, funksionalizimin e mekanizmave koordinues në nivel qendror dhe lokal, si dhe themelimin e Sekretariatit mbështetës të Koordinatorit Kombëtar për mbrojtje nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna me bazë gjinore.
Përkundër të gjithë angazhimit, Zëvendësministri Nimoni nënvizoi se nevojitet një angazhim i përbashkët dhe i koordinuar i të gjitha institucioneve nga niveli qendror dhe ai lokal.
“Pikërisht këtu qëndron rëndësia e këtij memorandumi, ku sot jemi dëshmitarë të një modeli konkret të bashkëpunimit ndërmjet pesë komunave; Prishtinë, Obiliq, Lipjan, Podujevë dhe Fushë Kosovë për të siguruar financim për strehimoren, në përputhje të plotë me Konventën e Stambollit si dhe me legjislacionin përkatës vendor”, tha ai.
Ndërkaq, Udhëheqësja e Zyrës së Koordinatorit Kombëtar kundër Dhunës në Familje, Artë Ademi Bajrami, paraqiti para të pranishmëve një pasqyrë të përkushtimit aktiv të Ministrisë së Drejtësisë në mbështetje të grave dhe fëmijëve në situata të cenueshme.
“Një nga shtyllat kryesore të këtij angazhimi ka qenë dhe fuqizimi i shërbimeve sociale dhe familjare. Në këtë drejtim, kemi shënuar një rritje mbi 100% të mbështetjes financiare për strehimoret dhe organizatat që ofrojnë shërbime për të mbijetuarat, duke arritur në mbi 8.2 milionë euro mbështetje gjatë periudhës 2021–2025”, tha ndër të tjera znj. Ademi-Bajrami.
Në përfundim, Zëvendësministri Nimoni falënderoi për angazhimin e vazhdueshëm Misionin e OSBE-së në Kosovë, komunat pjesëmarrëse dhe Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, teksa shtoi se mënyra se si i mbrojmë më të cenueshmit është matësi më i drejtë i drejtësisë, humanitetit, përgjegjësisë dhe mbështetjes institucionale.
Skip to content