Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, sot ka vizituar Prokurorinë Themelore në Gjilan, ku është takuar me Kryeprokurorin Arben Kadriu.
Ministrja Gërvalla tha se sundimi i ligjit është pikënisja dhe fundamenti i çdo sistemi funksional të drejtësisë.
Mes tjerash ajo foli edhe për rolin e Prokurorisë për çka tha se është garantues i zbatimit të ligjit në praktikë, përmes ushtrimit të ndjekjes penale dhe trajtimit të rasteve në përputhje me kompetencat ligjore.
“Në fokus të takimit ishte nevoja për përforcimin e kapaciteteve dhe rritjen e mbështetjes profesionale, përfshirë shtimin e numrit të prokurorëve dhe fuqizimin e shërbimeve forenzike si mbështetje e procesit të ndjekjes penale”, tha Ministrja Gërvalla.
Po ashtu, në takim u diskutua edhe rëndësia e progresit në karrierë dhe e ngritjes profesionale të prokurorëve, si element i domosdoshëm për përmirësimin e performancës dhe forcimin e integritetit në sistemin prokurorial.
“Rikonfirmova qartë përkushtimin tim dhe të Ministrisë së Drejtësisë në mbështetjen e këtij institucioni, në përparimin dhe avancimin e mëtejmë të reformave në sistemin prokurorial, si dhe në çdo përpjekje për forcimin e sundimit të ligjit dhe rritjen e efektivitetit në praktikë”, deklaroi Ministrja Gërvalla.