Në kuadër të vizitës në Bruksel, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, zhvilloi një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Komisionit Evropian për Negociatat e Fqinjësisë dhe Zgjerimit, z. Gert Jan Koopman.
Gjatë takimit, fokus i diskutimit ishin proceset reformuese në drejtësi, përfshirë procesi i Vetingut, funksionalizimi i Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, si dhe paketa e pesë projektligjeve, si masa për forcimin e integritetit institucional dhe transformimin afatgjatë të sistemit të drejtësisë në Republikën e Kosovës.
“Në këtë kuadër, theksova se reformat në drejtësi kanë për qëllim rritjen e qasjes së qytetarëve në drejtësi dhe forcimin e integritetit, profesionalizmit dhe llogaridhënies së institucioneve gjyqësore, si pjesë e një sistemi më funksional dhe më të besueshëm”, u shpreh Ministrja Gërvalla.
Në anën tjetër, Ministrja nënvizoi edhe rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme nga Bashkimi Evropian në avancimin e sundimit të ligjit dhe përmbushjen e standardeve që lidhen me procesin e integrimit evropian, duke konfirmuar qasjen e palëkundur europiane të Republikës së Kosovës.