Skip to content
Ministrja Gërvalla pas aktgjykimit për sulmin terrorist në Banjskë: Një pjesë domethënëse e drejtësisë u vendos sot në Republikën e Kosovës

Ministrja Gërvalla pas aktgjykimit për sulmin terrorist në Banjskë: Një pjesë domethënëse e drejtësisë u vendos sot në Republikën e Kosovës

Prishtinë, 24/04/2026

Pas shpalljes së aktgjykimit për sulmin terrorist në Banjskë, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, vlerësoi se, ndonëse drejtësia nuk është vendosur plotësisht, sot në Republikën e Kosovës është vendosur një pjesë domethënëse e saj.

Ministrja Gërvalla deklaroi se dënimi me burgim të përjetshëm ndaj Bllagoje Spasojeviq dhe Vlladimir Tolliq, si dhe dënimi i Dushan Maksimoviq me 30 vite burgim, ndonëse vendosin përgjegjësi, nuk e zhbëjnë sulmin agresor ndaj Republikës së Kosovës, të cilin institucionet e vendit e zmbrapsën me vendosmëri.

“Aktgjykimet për sulmin terrorist në Banjskë nuk e kthejnë në jetë Heroin e Kosovës, rreshterin e Policisë, Afrim Bunjaku, i cili ra duke mbrojtur rendin kushtetues dhe sigurinë e vendit”, u shpreh Ministrja Gërvalla.

Siç tha ajo, këto vendime nuk ndryshojnë faktin se Serbia e përgatiti, e organizoi, e mbështeti dhe e financoi këtë sulm, derisa rreziku mbetet ende i pranishëm.

“Ato nuk e ndryshojnë as hezitimin e një pjese të bashkësisë ndërkombëtare për ta quajtur këtë akt me emrin që e meriton: sulmi ishte sulm, vrasja ishte vrasje, agresioni ishte agresion, një sulm i hapur agresor i shtetit serb ndaj Republikës së Kosovës”, deklaroi tutje Ministrja Gërvalla.

Kësisoj, Ministrja Gërvalla tha se drejtësia nuk mund të mbetet e pjesshme dhe se të përfshirët në këtë sulm duhet të ekstradohen dhe të dalin para drejtësisë në Republikën e Kosovës, përfshirë edhe organizatorin dhe drejtuesin e këtij grupi, Millan Radoiçiq.

“Institucionet e Republikës së Kosovës nuk do të ndalen derisa secili përgjegjës për këtë krim, dhe për çdo krim tjetër kundër Republikës sonë, të japë përgjegjësi para drejtësisë, pavarësisht emrit, pozitës, ndikimit apo rolit të tij në prapaskenë”, theksoi Ministrja Gërvalla duke nënvizuar se Kosova garanton gjykim të drejtë dhe transparent, në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Në përmbyllje, Ministrja Gërvalla ripërsëriti se Republika e Kosovës do të vazhdojë të kërkojë përgjegjësi, pa kompromis, për çdo akt që cenon rendin kushtetues dhe sigurinë e qytetarëve të saj.

Foto Galeria

Skip to content