Skip to content
Ministrja Gërvalla në shënimin e datëlindjes së Agim Ramadanit: “Heronjtë e lirisë së Kosovës kanë vetëm ditëlindje”

Ministrja Gërvalla në shënimin e datëlindjes së Agim Ramadanit: “Heronjtë e lirisë së Kosovës kanë vetëm ditëlindje”

Prishtinë, 03/05/2026

Në nder të shënimit të datëlindjes së Heroit të Kosovës, Agim Ramadani, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, mori pjesë në manifestimin tradicional kulturor “Ditët e Agimit”.

“Heronjtë e lirisë së Kosovës kanë vetëm ditëlindje”, shprehu Ministrja Gërvalla, e cila e nderoi jetën dhe idealin e Heroit Agim Ramadani, duke e cilësuar atë si figurë fisnike, vizionare dhe strateg të lirisë.

“Në ditën e lindjes së Heroit të Kosovës, fisnikut, vizionarit e strategut të lirisë, Agim Ramadani, në Zhegër të Gjilanit u mblodhëm me njerëz të mrekullueshëm nga të gjitha anët në një manifestim tradicional madhështor ku jehonte kënga dhe festa, për të nderuar jo vetëm jetën e tij, por edhe idealin që ai mishëroi”, tha ajo.

Tutje, Ministrja theksoi se, ndonëse jeta e Heroit Agim Ramadani u ndërpre herët, ajo u kthye në përjetësi përmes veprës dhe sakrificës së tij, në këmbim të më të shtrenjtës liri.

“Komandanti trim Katana nuk e humbi kurrë besimin tek liria dhe drejtësia. Vendosmëria dhe trimëria e tij, bashkë me sakrificën e të gjithë heronjve të Kosovës, e kthyen idealin e lirisë në realitet historik, andaj dhe mbeten gjithmonë udhërrëfyes për të ardhmen tonë e amanet i përhershëm i Republikës së Kosovës”, u shpreh Ministrja Gërvalla.

Në përmbyllje, Ministrja Gërvalla ritheksoi se heronjtë e lirisë së Kosovës kanë vetëm ditëlindje, andaj siç tha ajo, sot e përherë i këndojmë Heroit Agim Ramadani.

Skip to content