Skip to content
Ministrja Gërvalla vizitoi Gjykatën Themelore në Ferizaj: Besueshmëria në drejtësi matet me trajtimin e lëndëve

Ministrja Gërvalla vizitoi Gjykatën Themelore në Ferizaj: Besueshmëria në drejtësi matet me trajtimin e lëndëve

Prishtinë, 18/05/2026

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, sot ka vizituar Gjykatën Themelore në Ferizaj, ku është pritur në takim nga kryetari i gjykatës, Mustafë Tahiri.

Gjatë takimit Ministrja Gervalla dhe kryetari Tahiri diskutuan për funksionimin praktik të gjykatës, ngarkesën e lëndëve dhe sfidat në administrimin e drejtësisë në nivel të parë.

Me këtë rast, Ministrja Gërvalla vlerësoi edhe rolin e Gjykatës Administrative, dy javë pas funksionalizimit të saj, në lehtësimin e ngarkesës së lëndëve dhe rritjen e efikasitetit të sistemit gjyqësor në përgjithësi.

“Funksionimi i gjykatave dhe ecuria e lëndëve mbeten treguesit më realë të gjendjes së sistemit gjyqësor. Nuk janë deklaratat, por ritmi i trajtimit të rasteve dhe mënyra e menaxhimit të ngarkesës që përcaktojnë besueshmërinë e sistemit në sytë e qytetarëve”, u shpreh ministrja Gërvalla.

Tutje, Ministrja Gërvalla tha se reforma në drejtësi mbetet proces i vazhdueshëm, me synim përmirësimin e funksionimit të institucioneve dhe rritjen e efikasitetit në të gjitha hallkat e sistemit, si pjesë e forcimit të sundimit të ligjit.

“Pavarësia e gjyqësorit dhe përgjegjësia në ushtrimin e detyrës duhet të ecin paralelisht, si kushte thelbësore për rritjen e besimit të qytetarëve në drejtësi”, tha Ministrja Gërvalla.

Foto Galeria

Skip to content