Në vazhdën e vizitave në institucionet e drejtësisë, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, ka vizituar Prokurorinë Themelore në Ferizaj, ku është pritur nga Kryeprokurori Burim Qerkini.
Gjatë takimit, u diskutua për punën e institucionit, të arriturat dhe sfidat në ushtrimin e funksioneve prokuroriale, si dhe për rëndësinë e bashkëveprimit institucional dhe rritjen e efikasitetit në trajtimin e rasteve, si elemente thelbësore për funksionimin e drejtë të sistemit të drejtësisë.
Me këtë rast, Ministrja Gërvalla theksoi se nuk ka rrugë tjetër përveç reformës në drejtësi, duke vënë në pah rëndësinë e pakos prej pesë ligjeve, e cila përbën bazën e reformës dhe një ndër proceset më të rëndësishme në forcimin dhe thellimin e kornizës institucionale të sistemit të drejtësisë.
Ajo theksoi se këto reforma kanë ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies në sistemin prokurorial dhe gjyqësor.
“Sundimi i ligjit matet me kapacitetin e institucioneve të drejtësisë për të funksionuar me përgjegjësi, koordinim dhe efikasitet në ushtrimin e mandatit të tyre. Ky është standardi mbi të cilin po konsolidohet reforma në drejtësi”, u shpreh Gërvalla.
Në fund, Ministrja Gërvalla tha se angazhimi për avancimin e mëtejshëm të reformave do të mbetet i pakompromis, në funksion të forcimit të sistemit të drejtësisë dhe sundimit të ligjit në vend.