Skip to content
Ministrja Gërvalla: Përfshirja sociale duhet të ndihet në jetën e qytetarëve

Ministrja Gërvalla: Përfshirja sociale duhet të ndihet në jetën e qytetarëve

Prishtinë, 20/05/2026

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, së bashku me z. Artan Asllani, ish-deputet nga radhët e komuniteteve, kanë vizituar organizatën “The Ideas Partnership”, e cila përmes punës së saj të përditshme ofron mbështetje dhe përkujdesje për fëmijët, gratë dhe familjet në komunitet.

Gjatë vizitës, u pa nga afër puna dhe përkushtimi i kësaj organizate në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe mbështetës për ata që përballen me vështirësi sociale dhe ekonomike.

Në fokus të aktivitetit të kësaj organizate mbetet kujdesi i vazhdueshëm për fëmijët, fuqizimi i grave dhe mbështetja për familjet që kanë nevojë për afërsi, solidaritet dhe përfshirje reale sociale.

“Ajo që e bën këtë punë të veçantë nuk është zhurma, por prania e vazhdueshme dhe ngrohtësia. Fëmijë që gjejnë kujdes dhe një vend të sigurt për të filluar jetën me më shumë qetësi. Gra që marrin mbështetje në momentet kur kanë më shumë nevojë për forcë dhe dinjitet. Familje që nuk mbesin vetëm kur përballen me vështirësi që shpesh duken të rënda për t’u përballuar vetëm. Është një zinxhir kujdesi që nuk ndërpritet, por i jep formë një përfshirjeje reale”, tha Ministrja Gërvalla.

Tutje, Ministrja Gërvalla tha se përfshirja sociale nuk duhet të mbetet vetëm koncept, por të përkthehet në prani konkrete dhe mbështetje të drejtpërdrejtë për qytetarët.

“Kjo është përfshirje sociale në formën e saj më të thjeshtë dhe më të vërtetë, të jesh pranë njerëzve, me gjithë zemër e me zemrën plot. Dhe pikërisht për këtë, si institucione, mbetet zotim i qartë që këto modele të pranisë dhe kujdesit t’i mbështesim, t’i fuqizojmë dhe t’i zgjerojmë. Sepse aty ku ka afërsi të vërtetë me njerëzit, përfshirja sociale nuk mbetet më koncept në letër, por kthehet në realitet të jetuar, që ndihet në jetën e përditshme të fëmijëve, grave dhe familjeve, pa dallim”, deklaroi Ministrja Gërvalla.

Në fund të vizitës, Ministrja Gërvalla shprehu mirënjohje për angazhimin dhe punën e vazhdueshme të organizatës “The Ideas Partnership”, e cila përmes veprimeve konkrete po dëshmon rëndësinë e solidaritetit, përkushtimit dhe mbështetjes për komunitetin.

Skip to content