Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, ka vizituar Qendrën për Strehimin e Grave dhe Fëmijëve në Prizren, ku u prit nga drejtoresha ekzekutive znj. Jubilea Kabashi.
Gjatë vizitës u diskutua për rëndësinë e mbështetjes institucionale dhe shoqërore për gratë dhe fëmijët viktima të dhunës në familje, si dhe për sfidat me të cilat përballen qendrat që ofrojnë mbrojtje, rehabilitim dhe riintegrim për viktimat e abuzimit.
Ministrja Gërvalla vlerësoi punën dhe përkushtimin e stafit të qendrës, e cila që nga viti 2002 ka ofruar strehim, trajtim psikosocial dhe mbështetje për shumë gra, vajza dhe fëmijë në momente të vështira të jetës së tyre.
Gjatë takimit, ajo tha se largimi nga dhuna është vetëm fillimi i një procesi të gjatë drejt rikthimit të sigurisë, vetëbesimit dhe pavarësisë ekonomike për viktimat.
“Dhuna nuk përfundon vetëm me largimin nga abuzuesi. Pas saj fillon beteja për siguri, vetëbesim, pavarësi ekonomike dhe rikthim të jetës normale. Strehimi është vetëm hapi i parë. Fuqizimi është beteja e vërtetë. Pikërisht aty, mbështetja institucionale dhe shoqërore bëhet vendimtare”, deklaroi Ministrja Gërvalla.
Tutje Ministrja Gërvalla tha se luftimi i dhunës ndaj grave dhe fëmijëve kërkon angazhim të përbashkët institucional dhe shoqëror, duke theksuar se askush nuk duhet të përballet i vetëm me dhunën, heshtjen dhe padrejtësinë
“Asnjë grua dhe asnjë fëmijë nuk duhet të ndihen të vetëm përballë dhunës. Bashkë kundër dhunës në familje, për një jetë me dinjitet dhe pa frikë”, përfundoi Ministrja Gërvalla.