“Qasja në drejtësi është e drejtë themelore e garantuar për çdo qytetar, pa dallim”, kështu tha Zëvendeskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla gjatë vizitave në Zyrat Rajonale për Ndihmë Juridike Falas.
Gjatë vizitës, Ministrja Gërvalla u njoftua nga afër me punën e stafit profesional dhe shërbimet që ofrohen për qytetarët që kanë nevojë për mbështetje juridike falas.
“Në Zyrat Rajonale për Ndihmë Juridike Falas në Ferizaj dhe Prizren, pashë nga afër angazhimin e stafit profesional, që çdo ditë trajtojnë raste të ndryshme dhe ofrojnë mbështetje juridike për qytetarët që përballen me sfida sociale dhe ekonomike”, tha Ministrja Gërvalla.
Tutje, ajo tha se ky shërbim e sjell drejtësinë më afër jetës së përditshme dhe nevojave reale të qytetarëve.
“Ndihma Juridike Falas mbetet një mekanizëm thelbësor për forcimin e barazisë para ligjit, duke garantuar që askush të mos mbetet prapa për shkak të kushteve ekonomike apo sociale. Përmes këtij sistemi, rritet qasja efektive në drejtësi dhe forcohet besimi i qytetarëve në institucionet e shtetit”, u shpreh Ministrja Gërvalla.
Po ashtu, Ministrja Gërvalla theksoi se forcimi dhe zhvillimi i mëtejshëm i këtij sistemi mbetet prioritet institucional, në funksion të sundimit të ligjit dhe ofrimit të drejtësisë së barabartë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.