Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, ka vizituar sot Prokurorinë Themelore në Gjakovë, ku është pritur nga Kryeprokurori, z. Enis Gashi.
Gjatë vizitës, u diskutua për funksionimin institucional të sistemit prokurorial, sfidat në garantimin e efikasitetit dhe koordinimit në trajtimin e lëndëve, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në forcimin e sundimit të ligjit.
Me këtë rast, Zëvendëskryeministrja Gërvalla tha se sundimi i ligjit është shtylla që e mban shtetin në këmbë.
Ajo vlerësoi punën dhe angazhimin e institucioneve të drejtësisë në avancimin e reformave dhe forcimin e integritetit institucional, duke nënvizuar se:
“Pakoja prej pesë ligjeve, së bashku me funksionalizimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe procesi i Vetingut, përbëjnë arkitekturën kryesore të forcimit të integritetit dhe konsolidimit të sistemit të drejtësisë”, tha Ministrja Gërvalla.
Tutje, Ministrja Gërvalla potencoi se bashkëpunimi ndërinstitucional mbetet element kyç për rritjen e efikasitetit dhe forcimin e besimit qytetar në drejtësi.
“Ky proces mbështetet domosdoshmërisht në bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional, si element thelbësor për rritjen e efikasitetit dhe forcimin e besimit në sundimin e ligjit.”
Në përmbyllje të vizitës, ajo theksoi rëndësinë e zbatimit të drejtë dhe të barabartë të ligjit për të gjithë qytetarët.
“Kur drejtësia zbatohet pa përjashtim, shteti nuk deklarohet i fortë, bëhet i fortë”, tha Ministrja Gërvalla.