Sot, Zëvendësministri i Drejtësisë, Genc Nimoni, së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë, Ridvan Hoti, pritën në takim Ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot, si dhe përfaqësues të agjencisë franceze për bashkëpunim ndërkombëtar dhe zhvillim “Expertise France”, znj. Pauline Girerd, znj. Armelle Giraud, znj. Sarah Shaar dhe z. Cyril Lacombe.
Gjatë këtij takimi, Zëvendësministri Nimoni prezantoi rezultatet e arritura në kuadër të reformës në drejtësi dhe progresin e shënuar të Republikës së Kosovës në raportet ndërkombëtare në fushën e sundimit të ligjit.
Ai veçoi avancimin e reformës në sistemin prokurorial dhe gjyqësor, procesin e Vetingut, finalizimin e Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, finalizimin e pakos ligjore të reformës, por gjithashtu edhe funksionalizimin e Gjykatës Komerciale dhe Gjykatës Administrative.
Tutje, Zëvendësministri Nimoni nënvizoi rëndësinë e digjitalizimit të sistemit të drejtësisë, duke veçuar avancimin e Sistemit Informativ për Menaxhimin e Lëndëve (SMIL), digjitalizimin e proceseve të licencimit për profesionet e lira, procedurave të aplikimit për Provimin e Jurisprudencës, si dhe zhvillimin e mëtejmë të shërbimeve elektronike në sektorin e drejtësisë.
Ndërkaq, në anën tjetër përfaqësuesit e “Expertise France” shprehën interesimin për të vazhduar mbështetjen për prioritetet e ardhshme në kuadër të programit IPA 2026–2027, me fokus në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, si dhe avancimin e proceseve të digjitalizimit dhe të sistemit të drejtësisë