Në kuadër të vizitës në Komunën e Pejës, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, vizitoi sot Zyrën Rajonale të Shërbimit Sprovues të Kosovës në këtë komunë.
“Në Pejë, vizitova Zyrën Rajonale të Shërbimit Sprovues të Kosovës, Drejtorin z. Tahiri dhe ekipin e zyrës, të cilët luajnë një rol të rëndësishëm në funksionimin praktik të sistemit të drejtësisë në nivel lokal”, tha ajo.
Ministrja Gërvalla tha se Shërbimi Sprovues i Kosovës është një nga ato segmente të sistemit të drejtësisë që nuk bën zhurmë, por përcakton sa efektiv është realisht zbatimi i ligjit në praktikë.
Tutje, ajo tha se kontributi i Shërbimit Sprovues të Kosovës është thelbësor për ta bërë drejtësinë një realitet të prekshëm dhe funksional për të gjithë.
Ministrja Gërvalla falënderoi drejtorin dhe stafin për përkushtimin, profesionalizmin dhe përgjegjësinë që tregojnë çdo ditë në kryerjen e detyrave të tyre, duke vlerësuar rolin e tyre të rëndësishëm në fuqizimin e sundimit të ligjit dhe avancimin e sistemit të drejtësisë në vend.