Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla vizitoi Qendrën e Paraburgimit në Pejë, ku u shoqërua edhe nga Zëvendësministri Genc Nimoni dhe Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani.
Gjatë takimit, Ministrja Gërvalla tha se Qendra e Paraburgimit në Pejë ruan standarde të larta profesionale, me politikë të qartë të tolerancës zero ndaj kontrabandës, trajnim të vazhdueshëm të stafit dhe bashkëpunim të mirë me institucionet e tjera.
“Raportet dhe vlerësimet pozitive të monitorimeve vendore e ndërkombëtare janë dëshmi e vazhdueshme e punës së përgjegjshme që bëhet çdo ditë”, tha Ministrja Gërvalla.
Po ashtu, gjatë takimit u diskutua edhe për sfidat me të cilat përballen institucionet e ekzekutimit të sanksioneve penale, veçanërisht trajtimin e personave me probleme të shëndetit mendor, kufizimet infrastrukturore dhe nevojën për forcim të kapaciteteve profesionale.
“Përballja me këto sfida është e domosdoshme për të garantuar siguri, rend dhe respektim të standardeve më të larta ligjore e njerëzore”, tha Ministrja Gërvalla.
Në përmbyllje të fjalës së saj, Ministrja Gërvalla tha se shteti i së drejtës fiton kuptim atëherë kur siguria, drejtësia dhe dinjiteti njerëzor ecin krah për krah e kur autoriteti i ligjit është më i fortë se çdo privilegj, presion apo interes.