Skip to content
Hapet Java e Ndihmës Juridike Falas, Ministrja Gërvalla: Drejtësia duhet të jetë e qasshme për çdo qytetar

Hapet Java e Ndihmës Juridike Falas, Ministrja Gërvalla: Drejtësia duhet të jetë e qasshme për çdo qytetar

Prishtinë, 15/06/2026

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, mori pjesë sot në konferencën hapëse të Javës së Ndihmës Juridike Falas, e organizuar me qëllim të informimit të qytetarëve për të drejtat e tyre dhe mundësitë që ofron sistemi i ndihmës juridike falas.

Në fjalën e saj, Ministrja Gërvalla tha se barazia para ligjit është një prej premtimeve themelore të çdo shteti demokratik, por sipas saj kjo barazi nuk matet vetëm me ligjet dhe institucionet që ndërtojmë, por me mundësinë reale të qytetarëve për të pasur qasje në drejtësi kur kanë nevojë për të.

“Ndihma Juridike Falas nuk është thjesht një shërbim që ofron shteti. Ajo është garanci që drejtësia të mos mbetet privilegj për ata që kanë më shumë para apo njohin dikë në sistem, por të jetë e qasshme për secilin qytetar”, tha Ministrja Gërvalla.

Ajo vlerësoi rolin e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, e cila përmes zyrave rajonale, zyrave mobile dhe bashkëpunimit me organizatat partnere ka afruar shërbimet juridike te qytetarët në të gjitha pjesët e vendit.

“Ndihma Juridike Falas sot është më afër qytetarëve se kurrë më parë. Ajo arrin në komunat tona, në komunitetet tona dhe te njerëzit që shpesh kanë më së shumti nevojë për mbështetje. Arrin te gratë viktima të dhunës. Te komunitetet jo shumicë. Tek pranuesit e ndihmave sociale, pensionistët, nënat vetushqyese. Te qytetarët që, pa këtë mbështetje, do ta kishin shumë më të vështirë të kërkonin dhe të gjenin drejtësi”, deklaroi Ministrja Gërvalla.

Duke folur për rezultatet e arritura, Ministrja Gërvalla theksoi se vetëm gjatë vitit 2025, Agjencia për Ndihmë Juridike Falas dhe organizatat partnere kanë ofruar shërbime për më shumë se 10 mijë qytetarë, duke dëshmuar rëndësinë dhe ndikimin e këtij mekanizmi në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.

Ministrja Gërvalla ritheksoi përkushtimin e Ministrisë së Drejtësisë për forcimin e më tej të sistemit të ndihmës juridike falas, duke nënvizuar se shteti ligjor ndërtohet jo vetëm përmes miratimit të ligjeve cilësore, por edhe duke garantuar që çdo qytetar të ketë mundësi reale për t’i gëzuar dhe mbrojtur të drejtat që i garanton ligji.

 

 

Skip to content